I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, në ditën e dytë të vizitës së tij në Prishtinë, ka zhvilluar një takim me liderët e partive politike.
Ai është takuar me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, si dhe me atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.
Gjatë ditës, Lajçak do të takohet po ashtu edhe me kryetarë të partive tjera.
Të martën ai është takuar me presidentin Hashim Thaçi, kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani dhe kryeministrin Avdullah Hoti.
Lajçak nuk ka folur para gazetarëve, derisa është bërë e ditur se të enjten do të mbajë një konferencë për media.
Me të ardhur në Prishtinë, ai ka deklaruar që “përparimi i Kosovës në rrugën evropiane bëhet vetëm përmes BE-së dhe ka paralajmëruar rinisjen e procesit të dialogut në Bruksel”.
Lajçak ka arritur në Kosovë një ditë pasi i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka njoftuar se përfaqësuesit e këtyre dy shteteve do të takohen në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor.
Kujtojmë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është pezulluar nga nëntori i vitit 2018, kur autoritetet e Kosovës patën vendosur taksë 100 për qind në mallrat e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.
Ndërkohë kjo masë është zëvendësuar me reciprocitet, mirëpo qeveria e re e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti ka hequr të gjitha masat, për shkak të siç është shprehur ai, heqjes së të gjitha pengesave për vazhdimin e dialogut me Serbinë. (REL)