Nga Roland Lami
Me daljen e rrjeteve sociale disa studiues të shkencave të komunikimit që ndryshe etiketoheshin si optimistët, mbronin pikëpamjen që tashmë kemi një zë alternativ në hapësirën publike. Mediat sociale do ta diversifikojnë hapësirën publike dhe do ta çlirojnë tregun e informacionit nga dominimi i medias tradicionale. Sigurisht, duke theksuar se rrjetet sociale nuk mund të marrin vemendjen e televizioneve dhe nuk mund ti rivalizoj ato për shkak të kritereve profesional, etik, reputacionit të munguar në publik, kritereve seleksionuese që ka media krahasuar me rrjetet sociale. Njëkohësisht, teknologjinë dhe mjetet e sofistikuar që përdor ajo në vlerësimin e shijeve dhe humorit të audiencës.
Ndërsa grupi tjetër i studiuesve i njohur ndryshe si skeptikët, shpreheshin që rrjetet sociale dhe televizioni shpejt do jenë e njëjta gjë. Shpejt televizionet do tu ngjajnë rrjeteve sociale si; Tik tok, Intagram, Facebook, Snapchat etj, për arsyen e thjeshtë, do të duan klikime. Pra, klikimi kthehet në qëllim me vete duke injoruar aspektin profesional ( sa me idiot aq më shumë vemendje nga audienca nën mesatare) në aspektin etik ( sa më banal në fjalor aq më shumë i kuptueshëm dhe i ndjekur njëkohësisht ) në aspektin estetik ( sa më shumë butoks, provokuese në pamje aq më shumë ndjellëse dhe tërheqëse për audiencën ) dhe në aspektin e dimensionit të njeriut publik ( sa më shumë prezent në hapësirën publike jo për shkak të arritjeve profesionale apo profilit të ekspertizës por për shkak të famës që të është atribuar në emisione si Reality Show, Bllogger, Influencer Instagram etj aq më i lakmuar për tu ftuar në studio apo emisione.Kështu që kriteret seleksionues të gazetarisë së dikurshme sot për arsye të sigurimit të numrit të klikimeve zerohen.
Klikimi si komponent sasiorë shndërrohet sot në qëllim të gazetarit, moderatorit, regjizorit, skenaristit, drejtorit të programacionit, pronarit madje dhe kompanisë së biznesit që blen kohën televizive në këmbim të shitjes së reklamës. Klikimi shikohet si tregues suksesi si në mediat tradicionale dhe ato sociale. Mankthi i numrit të klikimeve në kohë reale të postimeve në rrjete sociale shndërrohet i tillë edhe për mediat tradicionale.
Të gjithë në kërkim të klikimit arrijnë te i njëjti destinacion në përmbajtje. Siç thonte me të drejtë Bourdieu secili duke menduar racionalisht arrin te i njëjti destinacion. Sot ka platforma, faqe dhe në media tradicionale emisione por në përmbajtje janë e njëjta gjë. Ndryshon forma por jo thelbi. Idiotësia e të ftuarit si kriter thithje vëmendje audiencie është kriter suksesi dhe suksesi i klikimeve një arsye për ta ftuar përsëri ose të ngjashmin si ai / ajo. Po ashtu, niveli i të ftuarit krijon komoditetin te gazetar apo moderator pasi nuk të lind nevoja të shfletosh, të lexosh apo të thellohesh në çështje të ndryshme social = ekonomike dhe politike që duhet të trajtosh në emision. Me kalimin e kohës shndërrohet edhe ai/ ajo në idiot duke u bërë komod dhe i ngjashëm me të ftuarët Shpejt unifikohet padija mes të ftuarit dhe moderatorit në raport me çështjen që diskutohet dhe mbetet vetem imazhi, batuta, zhargoni vulgar, sherri. A nuk ndodh e njëjta gjë në rrjetet sociale që postimet e gjata reduktohen në një fjali, foto ose video për të shtuar klikimet. Poseduesi i platformës duke parë reagimin e ndjekësve përshtatet dhe ai / ajo me shijet e tyre me qëllim sigurimin e klikimit. Pra, të dy platformat zbrazen nga përmbajtja dhe plotësohen me formë.
Mediokriteti shpërndahet në mënyrë të frikshme si në media sociale dhe në televizione. Klikimi vret këdo që ka një identitet profesional, social dhe shkencorë në të dyja platformat. Ai / ajo janë të papërshtatshëm të pa ftuar dhe të mërzitshëm si për moderatorin dhe audiencën. E njëjta gjë edhe në media sociale. Cdo status i mirëargumentuar ka shumë pak klikime ama foto apo video zbavitëse apo dramatike kanë shumëfish klikime dhe komente.
Argumentimi i gjatë, referencat ku mbështet tezën, gjuha teknike dhe të rafinuar si dhe qetësia për të respektuar tjetrin e tërturon moderatorin dhe i humb intetesin atij / asaj që moderon emisionin dhe audiencës me nivel nën mesatare. E njëjta gjë edhe në rrjeret sociale gjatësia e trajtimit të temës nuk tërheq vëmendje. Kështu që televizioni si mediat sociale ngjajnë me kafen e lagjes. Njerëz të zakonshëm flasin të përditshmen me gjuhën e tyre por që fal teknologjisë e bejnë publike atë ose në rrjete sociale ose media tradicionale.