Portali me antiqeveritar dhe mbështetësi i aksionit revolucionar të opozitës masakron taktikën e re të Bashës dhe i thotë se po gënjen mbështetësit dhe po shkon sërish drejt disfatës.
Stopimi i protestave, zbutja e toneve radikale dhe lëshimi i sinjaleve të kompromisit nga opozita po shoqërohen me idenë se shpejt, ndoshta nga pranvera, mund të zhvillohen zgjedhje të parakohshme.
Madje, madje këto zgjedhje nuk do të jenë vetëm të përgjithshme, por edhe lokale, duke rrëzuar kështu farsën e 30 qershorit, kanë raportuar mediat.
Në shtyp kanë rrjedhur copëza nga mbledhja e Lulëzim Bashës me kryesinë dhe ish- grupin parlamentar të PD-së ku është mbështetur ideja e zgjedhjeve të shpejta: “Zgjidhja e krizës vjen nëpërmjet zgjedhjeve të parakohshme”, mësohet të ketë thënë Basha.
Po nga rrjedh kjo ide e liderit demokrat, kur shumica nuk ka dhënë asnjë sinjal zbutjeje dhe ndërmjetësit ndërkombëtarë nuk e kanë shtruar në tryezë këtë opsion?
Një version është që Basha të shpikë një fabul të re për të mbajtur me gajret militantët, të mërzitur nga fakti se nuk e rrëzoi dot kryeministrin me protesta, se nuk e pengoi dot 30 qershorin, se ka zbutur tonet e dikurshme që përmblidheshin në sloganin: “nuk ka zgjedhje me Ramën”.
Por, sado absurde të duket, versioni se Basha po e përdor konceptin e zgjedhjeve të shpejta për të gënjyer vathën e vet, është më i miri i mundshëm.
Sepse nëse ai mendon se mund të shkojë vërtet në zgjedhje me Ramën kryeministër, ashtu sikurse në 2017, është katastrofal. Dhe kjo jo vetëm për fatin e opozitës që nuk do të qe dot e aftë ti përballonte, bandat e vjedhjes së votës të rilindjes dhe as të matej me milionat e oligarkëve dhe koncesioneve që shkojnë pro saj. Humbja në këtë rast do të ishte e sigurt.
Por, mbi të gjitha ky version do të qe një humbje për interesin e mbarë shqiptarëve. Sepse kur dogji mandatet, kur bojkotoi lokalet, opozita nuk u zotua para tyre se do të siguronte rotacionin, por se do të sillte ndryshimin. Dhe ky ndryshim nuk ishte thjeshtë këmbimi i karriges së Ramës me Bashën, por një transformim rrënjësor i sistemit, ku të zhbëheshin ndryshimet e kushtetutës të 2008 që e shndërrojnë kryeministrin në mbret, ku parlamenti të rifitonte pushtet në kontrollin e qeverisë, ku kryetarët e partive mos kishin të drejtën e listave të mbyllura që caktojnë natën e fundit kë u do qejfi dhe kë paguan më shumë për deputet.
Kur nisi lëvizjen radikale, PD premtoi se do ti realizonte këto transformime të mëdha, duke arritur më parë tek një qeveri tranzitore e cila do të bënte të mundur reformat e mëdha, pa shkopat nën rrota që i fut kushdo lider i fortë si kryeministër (në rastin konkret Rama).
Nëse ajo e harron këtë hartë rruge, ajo e ka të parashkruar një disfatë të re, si rezultat i mosbesimit që do të ngjallë në elektorat. Por edhe nëse ndodh mrekullia, edhe nëse Rama ka degraduar aq shumë sa nuk e ndihmojnë më as milionat dhe as banditët, shqiptarët do të dilnin sërish të humbur. Sepse pa u transformuar totalisht sistemi i programuar për të prodhuar liderë autoritarë, Lulzim Basha do të bëhej shumë shpejt si paraardhësi.
Prandaj kur e dëgjojmë atë ti thotë partisë së vet se do të ketë zgjedhje të parakohshme, gjëja më e mirë që mund të besojmë është se po e bën për të gënjyer të vetët. Marrë nga Lapsi.al