LE MONDE: Presidenti i ri i CDU, një zgjedhje që ngjall siguri për Gjermaninë dhe Europën

BOTA


Duke zgjedhur në krye Armin Laschet një besnik i kancelares Angela Merkel, konservatorët gjermanë riafirmojnë spirancën e tyre në një linjë europiane dhe centriste.

Pasi kanë kaluar 15 vjet nga zgjedhja e Angela Merkel në krye të qeverisë gjermane, kongresi i Bashkimit Kristian-Demokrat (CDU) fundjavën që shkoi më 15 dhe 16 janar, kishte një aromë lamtumire : ‘’Sipas të gjitha gjasave ky do të jetë kongresi im i fundit si kancelare’’ do të deklaronte zonja Merkel, e cila është angazhuar të largohet nga pushteti pas zgjedhjeve legjislative të 26 shtatorit.

Edhe pse ajo po përgatitet për të kthyer faqen e epokës Merkel, e djathta gjermane nuk ka ndërmend megjithatë të ndahet nga ‘’merkelizmi’’. Lideri i ri i CDU, 59 vjeçari Armin Laschet, është një besnik i kancelares, politikat e së cilës ai i ka mbështetur gjithmonë, përfshirë kohët e kritikave të forta në gjirin e partisë, si për shembull gjatë krizës së refugjatëve në vitin 2015.

I përshkruar si pragmatik, përbashkues e i moderuar, Armin Laschet, i cili drejton prej tre vitesh Landin gjerman më të populluar (Nordrhein-Westfalen), ka pika të përbashkëta me kancelaren Merkel. Të prerë në artin e kompromisit, këta dy udhëheqës janë centristë dhe kanë alergji nga ekstremet. 

‘’Dëgjoj gjithmonë të thuhet që duhet të dish të polarizosh. Jo, nuk jemi të detyruar. Ne duhet të bashkojmë shoqërinë dhe ta mbajmë atë të bashkuar.’’ -do të deklaronte z. Laschet në kongres.

Tre vjet pas zgjedhjes së dhjetra deputetëve të ekstremit të djathtë, dy vjet pas vrasjes së një prefekti nga një neo-nazist dhe sulmit të një sinagoge nga një supermacist i gatshëm të bënte atje një masakër, gjashtë muaj pas tentativës për të sulmuar Bundestagun nga disa qindra manifestues anti-maskë që tundnin flamuj të Rajhut të Tretë, ishte shumë e rëndësishme të mbahej një fjalim i tillë. 

Spiranca e hedhur në kampin e demokracisë

Ndërkohë që disa drejtues të CDU të landeve të lidjes janë të joshur nga një afrim i mundshëm me ekstremin e djathtë, duhet të përgëzojmë spirancën e hedhur në kampin e demokracisë dhe të humanizmit nga partia e madhe konservatore gjermane, kundër tentativave të populizmit. 

Edhe në Europë zgjedhja e Armin Laschet është një lajm i mirë. I lindur në Ahen në zemër të rajonit të Rinit, i cili është edhe rajoni prej nga erdhën liderët historikë Konrad Adenhauer dhe Helmut Kol, presidenti i ri i CDU është një europian i bindur, i cili në shkurtin e vitit të kaluar nuk do të hezitonte të deklaronte se i vinte keq për qëndrimin e tërhequr të kancelares Merkel përballë propozimit të presidentit Makron për të rithemeluar Europën.

Megjithatë përballë sfidave kolosale që do të peshojnë pas pandemisë mbi kontinent, principet aktuale nuk do të mjaftojnë. Pas ‘’mbretërimit’’ të gjatë të Angela Merkel, Gjermania nuk mund të kënaqet me menaxhimin e prosperitetit të saj, siç ajo ka pasur një tendencë të fortë të bëjë këto vitet e fundit. 

Për arësye të peshës së saj ekonomike e demografike, si dhe përgjegjësisë historike, Gjermania duhet të jetë një lokomotivë në inovacion dhe në luftën kundra ngrohjes globale. Por ajo duhet gjithashtu të marrë përsipër më shumë në rolin gjeopolitik, në shërbim të një Europe sovrane përballë fuqive si Rusia dhe Kina, dy vende ndaj të cilave z. Laschet kritikohet për mungesë vendosmërie.

Është ende shumë herët për të ditur nëse Armin Laschet do të jetë kancelari i ardhshëm gjerman. Do të duhej që më parë ai të jetë kandidati i përbashkët i CDU dhe aleatit CSU, lideri i të cilëve, Markus Soder, gëzon një popullaritet që mund ta shtynte drejt kandidimit.

Në pritje të përzgjedhjes nga koalicioni të kandidatit për të zëvendësuar Angela Merkel si kancelare, është gjithsesi një zgjedhje që sjell siguri ajo që bënë konservatorët gjermanë fundjavën e kaluar; zgjedhja e një linje të vendosur europiane, qartësisht centriste dhe e zgjidhjeve pragmatike. 



Skip to toolbar