Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në prokurori ish-drejtorin I.SH. dhe dy ish përgjegjës sektori të legalizimit A.A. dhe I.K. në ish-drejtorinë rajonale të ALUIZNIT Tirana jug, të cilët akuzohen për veprën penale “Shpërdorim Detyre”. Gjatë auditimit për periudhën 2016- 31 tetor 2018, KLSH ka konstatuar disa shkelje nga ana e tre ish-zytrarëve.
KLSH i konsideron të paligjshme veprimet e kryera nga drejtuesit dhe specialistët e ish Drejtorisë Rajonale të Aluizni-t Tirana Jug për kryerje të legalizimeve të jashtëligjshme dhe veprimeve në mos përmbushje të detyrës së tyre funksionale.
Ish drejtori dhe dy ish përgjegjës akuzohen për shpërdorim detyre, ndërsa KLSH rekomandon Drejtorisë Rajonale të Aluizni-t Tirana Jug, për përmirësimin e gjendjes dhe parandalimin e veprimeve të kundërligjshme në legalizime duke renditur disa shkelje.
“Drejtoria Rajonale e ALUIZNI-t Tirana Jug në marrjen e vendimeve “Për kualifikimin për legalizim të objektit informal”, ka vepruar në kundërshtim me ligjin. Në kualifikimin e objekteve informale, ka dërguar pranë Bashkisë Tiranë, vetëm shkresën për llogaritjen e pagesës së taksës së ndikimit në infrastrukturë për 4221 objekte informale dhe pa marrë konfirmim mbi pagesën e saj për dalje me vendim kualifikimi për 4017 objekte informale duke krijuar një mungesë të ardhurash ne buxhetin e shtetit në vlerën 161,317,255 lekë
– Janë lëshuar 4221 leje legalizimi për objektet informale të legalizuara, nga këto 2101 leje legalizimi ose rreth 50 % e tyre lejet e legalizimit janë lëshuar vetëm për objektin me shënimin në lejen e legalizimit “Kalimi i pronësisë për parcelën ndërtimore do miratohet me Vendim të Këshillit të Ministrave” referuar V.K.M. nr.954, datë 25.11.2015 dhe V.K.M. 1095, datë 28.12.2015”. Nga 2101 leje legalizimi në momentin e auditimit për 213 leje legalizimi konstatohet se ka miratim të kalimit të pronësisë së parcelës ndërtimore, ndërsa për 1888 leje legalizimi në momentin e auditimit nuk ka VKM për kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore ose në mungesë të ardhura në vlerë 1,059,959,811 lekë + bono privatizimi (1,216,148,000 lekë – 156,188,189 lekë ).
-Janë nxjerrë nga arkiva dhe ka kryer verifikimet ne teren, hartuar gen planet, planimetritë për 4107 objekte informalë të vetëdeklaruar si ndërtime pa leje, por nuk ka vazhduar procedurat e kualifikimit dhe pajisjet me Leje Legalizimi për këto subjekte.
-Në 25 rastet “Procesverbal i verifikimit në terren i të dhënave të ndërtimit pa lejë/shtesë në ndërtimin me leje”, nuk është i plotësuar sipas kërkesave ligjore.
– Për 31 dosje të objekteve rezultoi se ka mangësi në dosje të dokumentacionit të kërkuar ligjor si vetëdeklarimet dhe ose nuk disponohet dosje të hapur.
– Në 12 raste, janë kryer legalizime të objekteve pa respektuar distancat nga rrugët, madje është cenuar trupi i rrugës ku sipas Gen Planit të administruar në dosje rezulton se objektet bien mbi projektit infrastrukturor të Planit të Përgjithshëm Vendor i Bashkisë Tiranë, ndërkohë që në dosje nuk ka korrespodencë shkresore me Autoritetin Rrugor Shqiptar për të përcaktuar nëse parcela ndërtimore bie mbi projektin infrastrukturor;
– Në 1 rast është kryer legalizimi i objektit të ndërtuar më pas nga periudha e deklaruar në vetëdeklarim, ku referuar imazheve nga gjeoportali asig.gov.al, rezulton se nuk ka ndërtim në vitin 2007, ndërkohë që sipas imazheve dixhitale dhe në vitin 2010, i deklaruar si viti ndërtimit në vetëdeklarimin nr. 1219, objekti nuk rezulton i përfunduar.
– Në 1 rast është kryer legalizimi i objektit informal të ndërtuar në buzë të lumit “Lana”, në dosje nuk ndodhet dokumentacion justifikues për këtë qëllim.
– Në 3 raste sipas dokumentacionit disponibël në dosje, si genplani, harta dixhitale e paraqitur, statusi i pronës, rezulton se objekti është të një parcelë ndërtimore në pronë të Kryegjyshatës, pasi nga verifikimi i materialit hartografik dhe pozicionimit të pronës nga punonjësit e autorizuar, rezulton se objektet informalë, ndodhen mbi pasurinë “Truall” me sip. 33073 m2 në pronësi të Kryegjyshata Botërore Bektashiane” shkruhet në raportin e KLSH.