Kryeministri Edi Rama deklaroi se bashkitë do të përfshihen në procesin e legalizimit të banesave.
Në takimin që po mban këtë të mërkurë me kryebashkiakët e vendit, kreu i qeverisë tha se procesi i legalizimeve lë për të dëshiruar ndërsa shtoi se duhet krijuar një mekanizëm transparent.
“E domosdoshme si rezultat i faktit që ndërkohë që me pjesën e regjistrimeve të pronave në Kadastër kemi një ecuri pozitive, në legalizimet nuk mund të thuhet e njëjta gjë.
Për këto arsye, është vendosur që bashkitë të përfshihen në proces. Përfshirja ka një rëndësi dhe dobi sipas nesh të posaçme për faktin që jo vetëm do të shtojë forcat për të mbështetur dhe zgjidhur problemin e legalizimit për qytetarët por edhe do të shërbejë për të bërë monitorimin e punës në Kadastër, që në në sektorin e legalizimeve lë për të dëshiruar.
Në këtë kontest, së pari, janë bashkitë që do të vendosin prioritetet dhe do të përcaktojnë ritmin e planit të punës të zyrës së punës të legalizimit. Procesi do të udhëhiqet prej jush me një staf të dedikuar që do të krijoni deri në shtator, kur ky proces do të fillojë. Nëpërmjet këtij sistemi për të krijuar një mekanizëm transparence dhe llogaridhënie mes palëve.”, tha Rama.