Rikonstruksioni i banesave në fshat do të kërkojë më pak proçedura për tu realizuar.Kjo është e parashikuar në projektligjin për faljen e gjobave për ndërtimet pa leje në fshat i cili është detajuar dhe është dorëzuar në Kuvend. Lehtësimi i lejeve dhe dokumentacionit parashikohet të bëhet për një tipologji ndërtimesh që janë të nevojshme në zonat rurale në veçanti përmirësimi i shtëpive të banimit në zonat rurale si edhe objekteve për qëllime të veprimtarisë bujqësore, me kusht që ndërtimi i tyre të mos ndikojë në disiplinimin e ndërtimeve në territor që parashikon legjislacioni apo të shkaktojë dëmtime në infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit.
Punimet që nuk do të kenë nevojë për leje ndërtime por vetëm për një deklaratë paraprake janë përforcimi i strukturave mbajtëse të brendshme të banesave ,serra apo mure rrethuese për banesat. Po ashtu në relacion të këtij drafti maxhoranca propozon rishikimin e tarifave dhe taksave nga ana e autoriteteve vendore në zonat rurale për të zbutur kostot për banorët e zonave rurale.Ndër të tjera kërkohet një monitorim më i plotë i diferencimit në taksat lokale nga pushteti vendor për përmiresimin e banesave në zona rurale pa ndryshuar formën dhe strukturën, riparime çatish, mure rrethues dhe sipërfaqe ndihmëse magazine deri në 40m2, ku propozohet të shihet mundësia e ndërhyrjes në ligj për të zeruar kostot lokale.
Në draft sqarohet se vendimi për faljen e gjobave për ndërtimet pa leje në fshat është marë për shkak të një niveli te lartë te masave administrative gjobë, të vendosura ndër vite për disa tipologji ndërtimesh si shtëpi, shtesa anësore ose në lartësi, mure rrethues, çati të pashfrytëzueshme, magazine apo stalla ku vetëm për vitin 2022 janë vendosur 1492 masa administrative.
Ky projektligj synon edhe anullimin e të gjitha masave administrative të vendosura nga 1 Janari i vitet 2015 deri në 30 Nëntor të vitit 2024, në zonat rurale për mos respektim të rrëgullave gjatë kohës së pandemisë, masa këto që prej vitesh mbeten përsëri në proces ekzekutimi.