Lejet mjedisore përplasin Klosin me Veliajn

AKTUALITET


Dhënia e lejeve mjedisore dhe kërkesa e kryebashkiakut Veliaj që kjo kompetencë t’i hiqet ministrisë dhe t’i kalojë bashkisë është kthyer në objekt debati në distancë mes ministrit të mjedisit Blendi Klosi dhe kryebashkiakut Veliaj.

Në një aktivitet të zhvilluar të premten për certifikimin e paketave eko-turistike, ministri i mjedisit Blendi Klosi i është përgjigjur pa i përmendur emrin Veliajt.

Klosi, tha se vlerat e parqeve që na ka falur Zoti janë më të veçanta se dëshirat e një kryebashkiaku. Ai gjithashtu shtoi se nuk duhet të ketë konkurrencë të brendshme.

“Ndryshimi i ligjit ka prishur shumë interesa, ka ndryshuar shumë rregulla. Është e vërtetë se vendosja e rregullit ka shkaktuar shumë probleme dhe ka prishur interesa. Por është e mirë që parqet që ka na falur Zoti t’i mbrojmë. Vlerat e tyre janë shumë më të veçanta se dëshirat e një kryebashkiaku, sepse duke qenë e bukur është shumë e lakmueshme. Duhen aktivitete që nuk dëmtojnë agro-turizmin dhe natyrën. Ne vijojmë te bëjmë konkurrenca te brendshme, po nuk duhet t’i bëjmë këto konkurrenca”, tha Klosi.

Të enjten, kryebashkiaku Veliaj e cilësoi problematike faktin që bashkitë nuk kanë të drejtën e kontrollit të lejeve mjedisore. Ai shkoi më tej duke thënë se inspektoratet mjedisore janë të korruptuara dhe duhen shkrirë, ndërsa bashkitë duhet të kenë kompetencën për lejet mjedisore, pasi ata kanë kontakt të drejtëpërdrejtë me problemet e njerëzve dhe jo qeveria./realstory.al



Skip to toolbar