Letra e Kuvendit për Venecian: 8 shkeljet e kryera nga Meta me Kushtetuesen

POLITIKË


Tetë janë shkeljet e reja kushtetuese që ka kryer Presidenti, sipas mazhorancës, për të cilat duhet hetuar dhe shkarkuar. Katër prej tyre janë në refuzimin për të bërë betimin e Arta Vorpsit si anëtare të Gjykatës Kushtetuese, dhe 4 të tjera në emërimin në vend të saj të Marsida Xhaferllarit.

Të detajuara argumentet e Komisionit Hetimor kundër Presidentit, shoqërojnë kërkesën për opinion drejtuar Komisionit të Venecias.

Janë 6 pyetje dhe kanë pësuar ndryshime nga ato që u lexuan në mbledhjen e fundit të Komisionit Hetimor të drejtuar nga Ulsi Manja për shkarkimin e Presidentit. Ekspertët e Venecias pyeten nëse është i ligjshëm emërimi i një gjyqtari kushtetues, pas 30 ditëve që parashikon ligji dhe jashtë listës së Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, siç ndodhi në rastin e Marsida Xhaferllarit.

Sa legjitime janë vendimmarrjet e një gjykate të plotësuar në një mënyrë të tillë dhe a konsiderohet i emëruar një gjyqtar të cilin presidenti refuzon ta emërojë?

Edhe forma e ndjekur nga Arta Vorpsi për të bërë betimin te noteri është objekt interpretimi nga Venecia.

Në shkresën drejtuar Gianni Buquicchio, parashtrohet e gjitha situata për plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese: që nga shpallja e tyre deri tek refuzimi i presidentit për të emëruar anëtarin e tij të dytë para se Kuvendi të zgjidhte emrin e tij të parë. Në dokument renditen edhe akuzat e kreut të shtetit për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, si dhe pretendimet e mazhorancës se ai e dubloi këtë këshill.

Sipas mazhorancës, Arta Vorpsi është anëtarja legjitime e Gjykatës Kushtetuese dhe vendimmarrjet, ku e përzgjedhura e Presidentit, Xhaferllari merr pjesë, rrezikojnë shpallen të pavlefshme në një moment të dytë.

PYETJET
Ndërsa komisioni hetimor vijon punën sipas objektit të hetimit, ka lindur nevoja të kërkohet mendimi i specializuar në lidhje me disa çështje mbi sa parashtrohet më sipër.
Konkretisht, Kuvendi i Shqipërisë do të vlerësonte shumë opinionin e Komisionit të Venecias, si për pyetjet sa më poshtë, ashtu edhe për çdo çështje tjetër që lidhet me rastin në shqyrtim:
1. Emërimi i një gjyqtari kushtetues tej afatit prekluziv 30 ditor dhe jashtë listës së kandidatëve të miratuar me vendim të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi a cenon parimin e Gjykatës së krijuar me ligj? Sa e pajtueshme është me konceptin e një “gjykate të caktuar me ligj”, siç parashikohet në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, zgjedhja e një gjyqtari në kundërshtim me procedurën kushtetuese dhe ligjore?
2. A ndikon situata e paraqitur në pyetjen e parë në legjitimitetin e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese duke vënë në dyshim garancitë e shtetasve për një proces të rregullt ligjor? A bie ndesh kjo me opinionin e Komisionit të Venecias të datës, 14.03.2016, për mekanizmat zhbllokues në zgjedhjen dhe emërimin e anëtarëve të organeve kushtetuese?
3. A është në përputhje me standardet më të mira, zbatimi i mekanizmit zhbllokues pas mosveprimit të Presidentit për të emëruar brenda 30 ditëve gjyqtarin kushtetues, si rrjedhojë e të cilit konsiderohet i emëruar gjyqtari kushtetues?
4. A mundet Presidenti të mos organizojë ceremoninë e betimit të gjyqtarit kushtetues kur ai/ajo në kuptim të ligjit konsiderohen të emëruar? Në këtë rast, a konsiderohet e cenuar e drejta e një gjyqtari kushtetues të ushtrojë detyrën?
5. Në rast se Presidenti nuk organizon ceremoninë e betimit të gjyqtarit kushtetues, nisur nga solemniteti i betimit si akt, çfarë mekanizmi mund të përdoret për ta zhbllokuar një situatë të tillë? A është betimi me shkrim një formë për të plotësuar kushtin e betimit, për të filluar ushtrimin e detyrës, në situatën kur gjyqtari është emëruar në detyrë për efekt të ligjit?
6. Cilat mund të ishin zgjidhjet sipas standardeve më të mira ndërkombëtare për të shmangur rastet kur organi i ngarkuar me kryerjen e betimit refuzon të thërrasë për betim zyrtarin?




Skip to toolbar