Pas publikimit në media të disa pjesëve të draft-opinionit të Komisionit të Venecias, lidhur me përzgjedhjen e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese dhe pas reagimit të Partisë Socialiste, përmes Taulant Ballës, i cili u shpreh se Qeveria nuk do ndërmarr asnjë hap pa ardhur opinioni përfundimtar, ka reaguar Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në deklaratë thuhet se SHBA nxisit të gjitha palët që të respektojnë procesin e Komisionit të Venecias, përfshi kërkesën për konfidencialitet të projekt-opinionit deri sa të finalizohet. “Mirëpresim vendimin e qeverisë për të mos ndërmarrë veprime të mëtejshme lidhur me legjislacionin përkatës derisa opinioni të finalizohet.” – thuhet në deklaratë.
Por Ambasada i kushton një rëndësi të madhe sundimit të ligjit në vend dhe të ardhmes Europiane të Shqipërisë, nisur dhe nga rekomandimit i KE-së për hapjen e negociatave por edhe pas debatit lidhur me letrën e dërguar nga Meta, pas këtij rekomandimi. “Po ashtu mirëpresim deklaratën e bërë nga Presidenti Meta gjatë konferencës së tij për shtyp me Presidentin e Bullgarisë, duke afirmuar rëndësinë e një vendimi pozitiv nga BE për të hapur negociatat drejt anëtarësimit për Shqipërinë. Duhet të qëndrojmë të përqendruar tek ajo që ka më shumë rëndësi – sundimi i ligjit dhe e ardhmja e Shqipërisë në Evropë.” – mbyllet deklarata e Ambasadës Amerikane.