Për herë të parë që prej vitit 2005, edhe shqiptarët mund të përdorin xhama të zinj dhe mos të gjobiten nga policia rrugore. Ky njoftim i rëndësishëm vjen vetëm një ditë pasi policia rrugore tha se janë evidentuar dhe proceduar administrativisht 97 drejtues mjetesh, për këtë gjë.
Këtë të diel, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor jep këshilla se si mund të errësohen xhamat e pasmë të makinave.
“Xhamat e pasmë të autoveturave (sipas figurës dhe rekomandimit UN-ECE) mund të errësohen, materiali xham ose edhe me qese/film (të çertifikuara), deri 75%, si e drejtë e çdo zotëruesi mjeti! Mjafton që errësimi të jetë kryer profesionalisht nga prodhuesi ose një servis i liçensuar, me materiale të certifikuara të tregut dhe me faturën përkatëse!
Gjithashtu për xhamat e pasmë lejohen grilat origjinale të mjetit! Errësimi ul rrezikun kancerogjen nga rrezet UV/IR, ul konsumin dhe ndotjen! DPSHTRR do ofrojë më shumë informacion online në ditët në vijim!”, thuhet në postimin në Facebook ku jepet edhe një grafikë.
Që në janar, DPSHTRR i kishte kërkuar kryeministrit shfuqizimin e VKM-së 763,datë 06.12.2005 pasi ka rezultuar e pasuksesshme, e paqartë, duke u bërë shkak keqkuptimesh e abuzimesh për mënyrën e kontrollit, përcaktimit të kundërvajtjes si dhe vendosjen e masave administrative nga organet e policisë. Gonxhe ka paraqitur një variant totalisht të ndryshuar i hartuar nga 3 ekspertë të transportit rrugor.
Përdorimi i xhamave të errësuar është e drejtë e çdo qytetari përderisa tregu ofron autovetura të prodhuara me xhama të errësuara në funksion të mbrojtjes së privatësisë personale, familjare etj, në proporcion me kërkesat ligjore për sigurinë publike dhe sigurinë në qarkullim. Tregu gjithashtu ofron aksesorë të ndryshëm post shitje autoveture të re si perde apo shtresa errësuese për të njëjtin funksion, në konformitet me sigurinë dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Referuar pozitës gjeografike të Republikës së Shqipërisë , që karakterizohet nga klima mesdhetare, e sunduar nga ditët me diell, qarkullimi dhe regjistrimi i autoveturave me xhama të errësuar, të përcaktuar në masën e lejuar garanton mbrojtjen e shëndetit nga rrezet Ultra Violet dhe komoditet në udhëtim duke ulur efektet negative nga rrezet dhe nxehtësia e diellit si dhe do të ulë konsumimin motorik dhe pajisjet e sistemeve të ajrit të kondicionuar, subjekt shkarkimesh ndotëse në ambient.