GJKKO ka lënë në fuqi masën e “arrest me burg”, e marrë në mungesë për shefin e komisariatit të Kurbinit, Dritan Metaj. Pas arrestimit ditën e djeshme dhe daljen përballë gjykatës, Metaj ka pranuar njohjen dhe takimet me narkotrafikantin Gëzim Çela.
Sipas tij këto takime kanë qenë pasi kanë pasur njohje të mëparshme. “Kam bërë gabim, po e kam bërë, pasi e njihja më herët dhe nuk e shmangia dot takimin”, tha ai.
Shefi i komisariatit të Kurbinit, Dritan Metaj, u arrestua një ditë më parë me kërkesë të SPAK. Ai rezulton të ketë pasur rol të rëndësishëm në grupin kriminal të trafikut të drogës në Fushë Kuqe.
Metaj kryente rolin e transportuesit të anëtarëve kriminal, mes tyre edhe baronin e drogës Gëzim Çelaj, duke shfrytëzuar postin e tij si komisar policie për t’i lëvizur pa i kontrolluar dhe dyshuar askush tek ata.
Veprimtaria kriminale është arritur të dokumentohet me prova të pakundërshtueshme nga SPAK, përmes një numri të lartë të celularëve të sekuestruar në operacionin “Flakë në Det” të organizuar në muajin gusht, mes të cilit janë gjetur biseda të shumta të Metajt me Gëzim Çelajn dhe 2 të tjerët të shpallur në kërkim.
Megjithatë, me urdhër të SPAK, janë kryer përgjime të tjera në javët e fundit, të cilat kanë dhënë prova mbështetëse për dokumentimin e veprimtarisë kriminale.