Bashkëshortja e kryeministrit Rama, Linda Rama deklaron se të jesh krah Edit është privilegj unikal, por në të njëjtën kohë përgjegjësi që të jetosh nën peshën e plotësimit të pritshmërive të njerëzve dhe frikën e humbjes së besimit të tyre gjatë një interviste për “London Business Magazine”. Revista ka publikuar një intervistë të gjatë të bashkëshortes së kryeministrit, e cila tregon këndvështrimin e saj për Shqipërinë nën drejtimin e Ramës, por edhe si janë pritshmëritë për pesë vitet e ardhshme, kur shpreh sigurinë se se pas pesë vjetëve që vijnë, Shqipëria do të ndahet njëherë e mirë nga hijet e të shkuarës.
Intervista e plotë
Lexuesit tanë janë shumë kuriozë – si është të jesh bashkëshortja e Kryeministrit?
Është një privilegj unikal që shumica e njerëzve të vendit tënd beson të udhëhiqet nga njeriu që ti ke zgjedhur për të kryer udhëtimin e jetës dhe për të ndarë barrën e mirërritjes së fëmijëve të tu. Është një përgjegjësi marramendëse po ashtu, që të bën të jetosh në mënyrë konstante me peshën e sëkëlldisë që vjen nga dëshira e madhe e plotësimit të pritshmërive të njerëzve dhe frika e humbjes së besimit të tyre. Është një shans sfidues për të kontribuar për të tjerët nga një pozitë e veçantë, në një kohë kur vendi yt ka shpresa e ëndrra të mëdha që përballen përditë me limite të diktuara nga e shkuara e me vështirësi të panumërta të jetës së përditshme të njerëzve. Por është edhe një kufizim i një lloji krejt të veçantë, në jetën tende të përditshme që s’do guxoja ta quaja sakrificë në respekt të shumë e shumë njerëzve që sakrifikojnë nga pozitat e tyre për fëmijët e familjet e tyre, po që sidoqoftë të kushtëzon jashtë mase dhe pa pushim.
Cilat janë angazhimet tuaja publike si bashkëshorte e Kryeministrit?
Profili i bashkëshortes së Kryeministrit është një zgjedhje personale. Në këtë zgjedhje, e para bindje që kam pasur dhe që vijoj të kem, është që publiku me të drejtë kërkon dhe meriton protagonizmin efektiv të njeriut që ka votuar për kryeministër, jo të gruas apo burrit të të parit të qeverisë. Edi erdhi në postin e kryeministrit 6 vite më parë me një agjendë reformash tepër të vonuara dhe po kaq të vështira. Ballafaqimi i vendit me një agjendë transformimi besoj impresionuese në të gjitha planet, është i rëndë qoftë në planin publik e politik, qoftë në planin personal e familjar. Presioni i pritshmërive dhe stresi në kërkim të rezultateve, janë pjesë e pandarë e këtij ballafaqimi. Unë jam përpjekur t’i jap Edit mbështetjen time të pakursyer, brenda kuadrit të një protagonizmi dobiprurës, pa e lenë atë asnjëherë vetëm e njëkohësisht pa i bërë hije, por duke qenë gjithnjë vetvetja qoftë nën çatinë e shtëpisë, qoftë nën dritën e vëmendjes publike.
Cila është arritja juaj më e madhe në jetë?
Kam një familje të bukur, lumturia e jashtëzakonshme e së cilës janë tre fëmijët tanë. Ndërkohë që, përpjekjet e pandërprera për shkollim dhe dije, me punë këmbëngulëse dhe pasion, më janë shpërblyer në rezultate të spikatura profesionale, duke arritur gjithçka kam synuar në planin akademik dhe profesional. Kështu, mund të them që jeta është treguar bujare me mua. Por, përtej këtyre dy aspekteve thelbësore besoj për këdo, mendoj që arritja më e madhe e imja është ruajtja përtej viteve e sfidave, e ndjeshmërisë gjenuine ndaj botës e njerëzve, duke arritur të mbetem e paafektuar nga cinizmi.
Ju keni nevojë për më shumë gra sipërmarrëse në Shqipëri. Në muajt që vijnë, a mund të shpresojmë për një fokus më të veçantë për të ndihmuar gruan për t’u bërë sipërmarrëse? Cilat janë gjerat që gratë duhet të dinë?
Gruaja shqiptare nuk ka qenë kurrë më e arsimuar se sa sot. Vetëm 5% e grave të brezit të nënave tona ishin me arsim të lartë. Sot janë gjashtë herë më shumë vajza me diplomë universitare në grupmoshën 25-39 vjeç. Sot ka shumë më shumë vajza sesa djem që ndjekin arsimin e lartë dhe kjo do të ishte e pamendueshme deri jo shumë dekada më parë. Aktualisht, 30% e administratorëve dhe të pronarëve të biznesit privat janë gra. Dhe më shumë se 40% e pozicioneve në linjën e parë të menaxhimit në kompanitë private janë gjithashtu gra. Këto shifra janë rezultat i një investimi të gjatë, të vështirë dhe të vazhdueshëm në beteja aspak të lehta zhvillimore dhe emancipuese përgjatë dekadave të fundit, duke shërbyer si një garanci e frymëzim për çdo përpjekje individuale të grave dhe të vajzave sot, për të shpalosur pasionet dhe ambiciet e tyre. Vajzat dhe gratë lipset të njohin dhe të përqafojnë natyrën e tyre, së bashku me gjithë potencialin që mbartin, si dhe të guxojnë për të ecur përpara. Ato po e bëjnë këtë përditë e më shumë, nga pak po pa ndalim. Dhe kjo është shpresëdhënëse.
Në Shqipëri flitet shumë për problemet demografike. Cili është vizioni juaj për rininë e vendit tuaj? Cila është ëndrra juaj për ta dhe pritshmëritë tuaja për ta?
Lejomëni të jem përulësisht krenare ndaj më shumë se 1 milion shqiptarëve të emigruar pas viteve ‘90 për përpjekjet e tyre heroike në arsimimin e fëmijët të tyre, të cilët janë sot pjesë e integruar e shoqërive të vendeve të Europës, Amerikës e deri Australisë. Por janë pa dyshim edhe një vlerë e shtuar e dijes kombëtare, pavarësisht distancave gjeografike. Sot, janë të panumërt të rinjtë shqiptarë të angazhuar në nivele të paimagjinueshme, të cilët janë edhe ambasadorët më të mirë të një Shqipërie shumë të ndryshme nga ajo krejt e izoluara e 30 viteve më parë. Të njëjtat përpjekje të jashtëzakonshme, heroike, kanë karakterizuar edhe prindërit në Shqipëri për të arsimuar fëmijët e tyre. Shifrat e kursimeve familjare të investuara për arsimim brenda apo jashtë vendit janë spektakolare. Pa dyshim që ne e vuajmë rrjedhjen e trurit e të krahut të kualifikuar të punës në kushtet e botës së sotme pa kufij e me një pafundësi tundimesh për të rinjtë që s’duan të presin, po duan të lëvizin drejt vendeve me shumë më tepër zhvillim e oportunitete. Por është një fazë historike që nuk ka vetëm aspektet negative, po edhe ato pozitive për të ardhmen e vendit. Brezi i sotëm i të rinjve shqiptarë, në Shqipëri dhe në botë, është i pari që nuk ka asnjë kujtesë të lidhur me komunizmin dhe që është plotësisht në rezonancë me të ngjashmin e vet në vende të tjera, falë epokës së globalizimit dhe digjitalizimit në të cilin jeton. Ky është brezi i çliruar nga komplekset e së shkruarës, me shumë mendje brilante brenda tij dhe me të gjithë energjinë që duhet ftuar për të marrë përsipër misionin për një Shqipëri me standardet më të mira demokratike dhe zhvillimore.
Të rinjtë shqiptarë aspirojnë një jetë më të mirë nga ajo që kanë dhe më të mirë se jeta që patën prindërit e tyre. Cila është këshilla juaj për ta? Ka ndonjë mësim nga udhëtimi juaj që do të donit ta ndanit me ta?
Ndryshe nga rrethanat në të cilën u rrit dhe jetoi brezi i prindërve tanë, por edhe i yni, fëmijët sot jetojnë kohën e mundësive të pafundme, si rezultat i transformimit global dhe i një dinamizmi frenetik të tij. Ky lumë i vrullshëm mundësish mbart me vete edhe rreziqe të panumërta si dhe një shkallë të lartë paparashikueshmërie të së nesërmes. Përpjekjet e pandërprera për dije dhe informacion, kurioziteti për të shkuar drejt thelbit të gjërave pa rënë në kurthin e sotëm të sipërfaqësores, si dhe ruajtja e kultivimi i njerëzores e i marrëdhënieve të thella me njeriun e me natyrën, pa u dehumanizuar e izoluar nga teknologjia dhe stili i jetesës, janë një sfidë gjithnjë e më e rëndë e të rinjve sot, të cilën me vullnet duhet ta fitojnë.
Si e shikoni pozitën e Shqipërisë në skenën botërore në pesë vitet e ardhshme?
Ka ndodhur një zhvillim mbresëlënës në Shqipëri pas viteve ‘90, po sipas meje veçanërisht në këto pesë vitet e fundit, të cilat kanë hedhur bazën e një kthese historike edhe në raport me kthimin e vendit në një atraksion turistik. Besoj që pesë vitet e ardhshme do ta konsolidojnë këtë bazë, duke hapur përfundimisht portën e zhvillimit të qëndrueshëm për Shqipërinë. Uroj që këto vite të afërta të konsolidojnë përfundimisht edhe perspektivën europiane me çeljen e zhvillimin e negociatave për anëtarësim me Bashkimin Europian. Mbase është pak po më duket e sigurt, se pas pesë vjetëve që vijnë, Shqipëria do të ndahet njëherë e mirë nga hijet e të shkuarës.