Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ndodhet sot në Estoni në vijim të vizitave shtetërore që ka ndërmarrë në Republikat Baltike.
Ai u prit me një ceremoni shtetërore në pallatin presidencial Kadriorg në Talin nga homologu estonez, Alar Karis, me të cilin zhvilloi takimin kokë më kokë dhe më pas atë me praninë e delegacioneve përkatëse.
Forcimi i marrëdhënieve dypalëshe, finalizimi i procesit për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, zgjerimi i Unionit në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimi për sigurinë kibernetike, Ukraina dhe reagimi kundër agresionit rus, ishin në fokus të bisedës në takimin kokë më kokë mes Presidentëve të dy shteteve.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, shprehu besimin se kjo vizitë do të rrisë bashkëpunimin në fusha me interes të ndërsjellë, si: turizmi, energjetika, siguria kibernetike, shërbimet elektronike dhe në teknologjinë e informacionit dhe komunikimit.
Kreu i Shtetit e konsideroi lajm të mirë vendosjen e linjës së re të përhershme Air Baltik midis Talin dhe Tiranës.
“Linja direkte shkurton distancën, rrit shkëmbimet ekonomike, turizmin dhe afron më shumë dy popujt”, – vlerësoi Presidenti Begaj.
Veç mundësive për rritjen e turizmit, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, theksoi faktin se mes dy shteteve ka ende hapësira për rritjen e investimeve estoneze në Shqipëri, si në energji, bujqësi, në fushën e teknologjisë së informacionit dhe në atë kibernetike.
Në takim u vlerësua ndihma estoneze ndaj Shqipërisë përballë pasojave nga sulmi kibernetik i vitit 2022 dhe, në këtë aspekt, Presidenti Begaj theksoi se ky bashkëpunim mund të thellohet përmes akademisë estoneze për trajtimin dhe kualifikimin e të rinjve shqiptarë në fushën kibernetike. Si dy vende në NATO, Shqipëria dhe Estonia janë të përkushtuara të avancojnë agjendën e bashkëpunimit për mbrojtjen kombëtare dhe hapësirën e përbashkët kibernetike.
Për sa i përket procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, Presidenti Begaj i shprehu Presidentit Alar Karis mirënjohje për mbështetjen, ndërsa kërkoi që Estonia të jetë më prezente në Shqipëri me ekspertizën e saj për integrimin, si një shtet në pararojë në Bashkimin Evropian për reformën administrative.
“Shqipëria është pjesë e Evropës, theksoi Presidenti Begaj, duke nënvizuar reformat në të mirë të qytetarëve, të cilat do të mundësojnë finalizimin sa më shpejt të anëtarësimit në Union”, – u shpreh Presidenti Begaj.
Një tjetër sfidë për vendet e Ballkanit Perëndimor është përballja me influencën ruse pas agresionit në Ukrainë. Presidenti i Shqipërisë i shprehu Presidentit të Estonisë falënderim për mbështetjen ndaj Kosovës në përpjekjet e saj për t’u anëtarësuar në strukturat Euroatlantike dhe organizatat ndërkombëtare.
Në lidhje me Ukrainën, Kreu i Shtetit rikonfirmoi mbështetjen pa kushte të Ukrainës në këtë përballje me agresionin e padrejtë e të pajustifikuar rus, duke e argumentuar këtë qëndrim aktiv me ndjekjen e parimit të respektimit dhe vendosjes së rendit ndërkombëtar bazuar në rregulla.
Presidenti Begaj mori përgëzime për këtë rol të Shqipërisë nga homologu estonez Alar Karis, të cilin e njohu me rritjen e mëtejshme të buxhetit në mbrojtje në funksion të ruajtjes së paqes. Në lidhje më këtë çështje dhe objektivat e tjera si aleatë në NATO, Presidenti Begaj bisedoi në një takim të veçantë me Ministrin e Mbrojtjes së Estonisë, z. Hanno Pevkur.
Gjatë vizitës në Talin, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i shoqëruar nga homologu estonez, Alar Karis, zhvilloi një vizitë në Memorialin e Viktimave të Komunizmit në Maarjamäe, ku nderoi të rënët me një buqetë lulesh.