Liruan Lulzim Cakën, në pranga drejtori e kartelisti i burgut

AKTUALITET


Drejtori i burgut të Lushnjës dhe një punonjës janë arrestuar, pasi akuzohen se kanë liruar para shlyerjes së dënimit, Lulzim Cakën.

Në një deklaratë për mediat, ministrja Etilda Gjonaj tha se ai është liruar 4 muaj e 22 ditë para kohe, për shkak të përllogaritjes në mënyrë të gabuar nga ana e kartelistit të IEVP Lushnjë dhe lëshimit të urdhrit të lirimit në mënyrë të kundërligjshme nga Drejtori i IEVP Lushnjë.

Si pasojë, janë arrestuar Judmir Shurdhi me detyrë Drejtor i IEVP-Lushnjë, për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe Llazar Mino, me detyrë kartelist pranë IEVP Lushnjë.

Gjonaj tha më tej se është njoftuar Policia e Shtetit për revokimin e lirimit të Lulzim Cakës dhe shpalljen e tij në kërkim për ta rikthyer për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.

“Po ashtu kam urdhëruar, ngritjen e një grupi hetimi për verifikimin e të gjitha dosjeve dhe dokumentacionit përkatës në rastet e lirimit të të dënuarve në të gjitha Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale. Në ditët që pasojnë do të realizoj një proces rivlerësimi për të gjithë trupën drejtuese të burgjeve dhe shefave të policisë si dhe ndërmarrjen e një procesi të ri për rekrutimin e kandidatëve profesionistë dhe me integritet, në pozicione drejtuese, detajet e së cilës do ti bëj shumë shpejt të ditura”, tha Gjonaj.

I dënuar me 25 vite burg, Lul Caka i njohur me nofkën i “tmerrshmi” i Beratit u lirua dje nga qelitë e burgut. Caka ka drejtuar një grup kriminal në Berat, ndërsa krimet e tij datojnë nga vitit 1995, ku dyshohet se ka kryer vrasjen e parë për të vijuar deri në vitin 1997. Nisur nga lidhjet e krijuara, Lul Caka në vitin 1997 u bë tmerri i udhëtarëve në rrugët nacionale Berat-Fier dhe Berat–Lushnjë. Arrestohet në Itali më 24 dhjetor 2001 dhe ekstradohet në vitin 2003, për të vuajtur dënimin 25 vjet burg për vrasje.



Skip to toolbar