Tifozët e Liverpulit janë të shqetësuar për shkak se klubi i tyre nuk ka bërë blerje të mëdha këtë verë. Trajneri Klop thotë se nuk ka financa të mjaftueshme, por thekson se skuadra është e aftë të luftojë për trofe.
Vera e kaluar nuk dukej aspak stina e duhur, por ishte vërtet e shkëlqyer. Yje të mëdhenj mbërritën tek Liverpuli, dhe skuadra e lavdishme angleze krijoi më në fund një skuadër të denjë për të konkurruar për gjithçka dhe me këdo. Virgin Van Dajk, Alison, Nabi Keita, Fabinjo e Xherdan Shaqiri iu bashkuan të kuqtve dhe trajneri Jurgen Klop krijoi një formacion që “pushtoi” Europën dhe luftoi për titull deri javën e fundit duke grumbulluar 97 pikë në Premier Ligë.
Tashmë, gjithçka është ndryshe. Liverpuli nuk ia doli të kishte sukses në përgatitoret ndaj Dortmundit, Seviljes apo Sportingut të Lisbonës, duke mos pasur as ritmin dhe as frymëzimin e vjetshëm. Me kampionatin anglez në prag të derës, me nisje në 9 gusht, shqetësimi I tifozëve është I madh se çfarë paraqitjeje do të bëjnë idhujt e tyre.
Trajneri Klop nuk duket shumë i shqetësuar, ndërsa jep një mesazh, pa ngurruar shumë. “Nuk e di sesi ia dalin skuadrat e tjera, por ne kemi detyrim për të paguar faturat, – tha ai, – Më vjen keq, por duhen para. Vjet investuam shumë, ndërsa këtë vit duket se nuk po e bëjmë, por ne nuk jemi në botën e çudirave, ku mund të bësh ç’të duash. Ndoshta vetëm Reali, Barcelona, Mançester Siti e Paris SG mund ta bëjnë këtë. Përveç kësaj, skuadra jonë është shumë e mirë dhe ajo do të përmirësohet. Askush nuk ka garanci për suksesin, as kur bën 5 blerje”.
E vërteta është se lajmet për përforcime kanë qenë të rreme, edhe për Filip Kutinjon, apo për sulmuesin e Lilës, Nikolas Pepe. Më shumë punë duket se prish sezoni i gjatë i yjeve që janë në skuadër, pasi Salah, Mane, Firmino, Alison, Van Dajk e Vajnaldum kanë qenë të angazhuar deri në qershor e korrik. Nga dëmtimet pritet të kthehen shpejt Keita, Shaqiri dhe Okslejd-Çembërlen, edhe pse jo mbrojtësi Nataniel Klajn. Prova e parë do të jetë finalja e Superkupës së Anglisë ndaj Mançester Sitit të dielën e ardhshme.