Ministri i Punëve të Brendshme Sandër Lleshaj doli në sheshin “Skënderbej” për të falënderuar të gjitha forcat e policisë që natën e ndërrimit të viteve e pritën në shërbim të sigurisë së qytetarëve. Urimi dhe falënderimi i tij shkoi edhe për ekipet mjekësore e të forcave zjarrfikëse. Ai tha se fatmirësisht ky vit nuk shënoi incidente dhe se nuk pati ‘zhurmë’ duke iu referuar kontrolleve të shumta që policia ka zhvilluar këto ditë festash për të mos lejuar tregtimin e mjeteve pirroteknike, të ndaluara me ligj.
“Besojmë që ky vit është pritur në mënyrën më dinjitoze të mundshme pa shumë zhurmë më shumë gëzim e lumturi. Kam ardhur t’i them faleminderit këtyre njerëzve që shërbejnë për sigurinë e të gjithë shqiptarëve”, tha Lleshaj.