Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj thekson se Reforma në Drejtësi është në fazë finale dhe do të japë rezultate konkrete kur Policia e Shtetit të luftojë kundër krimit ekonomik dhe financiar, pastrimit të parave dhe krimit kompjuterik. Ministri Lleshaj zhvilloi një takim me të rinjtë dhe të rejat që nisin kursin për t’u bërë oficerë të Policisë Kriminale. Ai vlerëson motivimin që ka brezi i ri i policëve për të shërbyer dhe për të dhënë rezultate të larta në luftën kundër krimit në tërësi.
“Një javë para se rreth 30 të rinj e të reja, të nisnin Kursin e dytë për Oficerë të Policisë Kriminale, u diplomua grupi me 36 vetë që mbaroi Kursin e parë me rezultate të larta. Ata i bashkohen trupës, në ripërtëritje të Policisë së Shtetit, për të rritur kapacitetet hetimore dhe forcën goditëse kundër paligjshmërisë në tërësi dhe krimit të organizuar në veçanti.
Bisedova me oficerët, pjesë e Gjeneratës së re të Policisë, dhe ajo që më ra në sy, ishte motivimi dhe vullneti për t’i shërbyer atdheut, përmes integritetit të lartë dhe profesionalizmit të shtuar në katedrat e Fakultetit të Hetimit të Krimit, në Akademinë e Sigurisë.
Interesi i lartë i të rinjve në çdo thirrje publike që Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë bërë, dëshmon se trupa policore mbetet një ndër institucionet më të besuara në vend. E kur çdo punonjës zotëron cilësi të larta profesionale e integritet personal, edhe organizata që përfaqësojnë bëhet më dinamike dhe e motivuar.
Reforma në Drejtësi, që sot është në fazën finale, mund të japë rezultatet që presin të gjithë, vetëm kur Policia e Shtetit dhe agjencitë ligjzbatuese, t’i përgjigjen cilësisht luftës kundër krimit ekonomik dhe financiar, pastrimit të parave dhe krimit kompjuterik”, shkruan ministri i Brendshëm.