“Emisioni i Rai 3, Fake News”, qeveria përgënjeshtron Bashën për drogën

AKTUALITET


Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka reaguar ashpër për dokumentarin e transmetuar nga stacioni italian RAI 3 për mafian e kanabisit në Shqipëri, duke e cilësuar këtë emision “fake news”, ndërsa ka sulmuar edhe opozitën, që ka trumbetur këtë emision për akuza politike, të cilës i ka kujtuar Lazaratin, duke e cilësuar “markë” autentike e PD-së.

Ky qëndrim i Lleshajt është përforcuar edhe nga Kryeministri Rama, i cili ka shpërndarë reagimin e ministrit në Twitter. “S’kemi ç’bëjmë!E kotë të harxhosh kohë me shumëçka serviret ende si gazetari, po me gazetarinë s’ka pikë lidhje. Çka vërtetë vlen çdo minutë janë reformat, punët, veprat. Ato do të flasin, kur llafet t’i ketë marrë era dhe baltën ta ketë fshirë uji i kohës”, shprehet Rama.

Ministri shkruan se në dokumentar paraqiten fakte të vjetra që nga koha e Lazaratit të famshëm për të cilin përgjegjësi duhet të mbajë Berisha dhe se autoritetet italiane e dinë shumë se niveli i trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Italisë këto vite është në nivelin më të ulët historik.

“Fatmirësisht, autoritetet italiane e njohin shumë mirë dhe nga shumë afër, të vërtetën e luftës kundër kanabisit dhe bashkëpunimin e shkëlqyer policor mes dy vendeve.

Ato kanë folur në të gjitha nivelet për këtë dhe unë besoj se do te shprehen edhe pas këtij reportazhi të Rai 3 – një mishmash i denjë për të ilustruar epideminë e ‘fake news’”, deklaron Lleshaj.

Ministri thekson se falë edhe bashkëpunimit të ngushtë me partnerët italianë, lufta kundër kanabisit si fenomen, është një luftë e fituar e shtetit shqiptar.

“Kultivimi apo sasitë e kanabisit me origjinë nga Shqipëria, të kapura nga vendet fqinje, kanë rënë në minimumet historike.

Ndërkohë, goditja në tokē dhe në det nga Policia e Shtetit dhe agjencitë ligjzbatuese, është konstante dhe shkurajuese për krimin.

Rrjetet dhe organizatat kriminale që kanë vepruar në këtë fushë janë goditur rëndë në të gjitha aspektet, përfshirë edhe atë financiar.

Fenomeni ‘Kanabis’ është tanimë një histori e tē shkuarës dhe lufta kundër tij një “bast” i fituar i kësaj mazhorance. Të gjitha shifrat provojnë këtë fakt”, shkruan Ministri.

Ai akuzon opozitën që e shfrytëzoi menjëherë këtë dokumentar të pavërtetë për të sulmuar dhe hedhur akuza drejt qeverisë dhe policisë.

“Një emision i televizionit italian “Rai 3” i pak ditëve më parë i mjaftoi opozitës që, si përherë, të nxitonte për të kërcyer tek konkluzione haluçinante, të cilat meritojnë vërtet keqardhje.

Disa histori nga e shkuara si Lazarati, kjo “markë” autentike e PD, apo edhe episode të tjera të shkuara (përzier në njē sallatë televizive sensacionale, pa asnjë vlerë dokumentare, po me synimin e vetëm audiencën e interesuar për shoë) kanë frymëzuar opozitën e plandosur jashtë-parlamentare.

Ajo ka rimarrë vrullin e një shiu vere, për të akuzuar Policinë e Shtetit dhe Qeverinë për njollat që ata vetë i kanë vënë vendit kur ishin ne pushtet”, shkruan Ministri Lleshaj.

Dokumentari “Narcotica” i transmetuar në Rai 3 hedh akuza të rënda për prodhimin dhe trafikun e kanabisit nga Shqipëria, dokumentar ky që u shfrytëzua nga opozita për të sulmuar policinë dhe qeverinë.



Skip to toolbar