Starti i Champions-it risolli emocionet e aktivitetit më të rëndësishëm për klube, teksa të gjithë po ambientohen me formulën e re. Tifozët janë ende në fazat e para të përthithjes së konceptit të ri, mënyrës si luhen ndeshjet apo edhe klasifikimit dhe rregullave të kalimit më tej.
“Futbolli takon të Dhënat”, platforma e përpunimit të statistikave ka shkuar edhe më tej. Nëpërmjet 10 mijë simulimeve të realizuara me kompjuter, ajo ka nxjerrë statistikat, sa pikë mjaftojnë për kualifikimin direkt, sa për ndeshjet “play-off” dhe kur skuadrat mund të quhen të eliminuara.
Në renditjen e përbashkët me 36 skuadra, ku çdo ekip do të përballet me 8 kundërshtarë të ndryshëm, në fazën e 1/8 kualifikohen direkt 8skuadrat që pozicionohen në vendet e para. Për të arritur këtë objektiv, do të nevojiten mesatarisht 15 pikë. Simulimet treguan se edhe 14 pikë mund të mjaftonin, ndërsa 16 pikë do të ishin garanci për të vijuar më tej.
Skuadrat që do të pozicionohen nga vendi i 9-të në të24-tin do të luajë në “playoff”. Në 55% të rasteve, për të shpresuar në një shans drejt kalimit në fazën tjetër, do të mjaftonin 9 pikë. Megjithatë, sipas sistemit, këtu ekziston rreziku që renditja finale të ndikohet nga golavarazhi.
12 skuadrat e mbetura do të eliminohen nga Champions, pa patur shansin që të zbresin në Europa League. Shifrat flasin qartë dhe bazuar në kundërshtarët e përcaktuar nga shorti, pretendentët e Champions do të nisin të bëjnë llogaritë e tyre.