Lokal kokaine te Blloku, pranga pronarit me punonjës dhe klientë

AKTUALITET


Shpërndarja e kokainës në zonën e ish Bllokut në Tiranë ka vënë në pranga pronarin e një lokali dhe tre punonjësit e tij, të cilët shpërndanin kokainë për klientët e orëve të vona të natës.

Arrestimi i tyre është bërë nga ana e antidrogës së kryeqytetit, ndërkohë që gjatë kontrollit, policia u ka gjetur gjithashtu të arrestuarve municione dhe armë të ftohta

Burimet policore thanë se operacioni është zhvilluar me metoda speciale të hetimit dhe me përgjime, nga i cili kanë rënë në pranga O. P., 38 vjeç, pronar i një lokali, i cili dyshohet për “Përshtatje të lokalit për përdorim droge” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikeve” kryer në bashkëpunim. Po ashtu janë arrestuar, A. A., 22 vjeç, administratori i lokalit A. Ll,, 30 vjeç, kamerier dhe E. H., 31 vjeç, klient në lokal. Gjithashtu janë proceduar penalisht në gjendje të lirë tre persona të tjerë.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve kishin marrë informacion se pronari i një lokali në zonën e ish-bllokut, shtetasi O. P. ushtronte aktivitetin e shitjes së lëndës narkotike kokainë në doza të vogla klientëve të tij dhe për ushtrimin e këtij aktiviteti kriminal përdorte kamerierët dhe banakierët, të cilët mbanin kontakt të herëpashershëm me klientët e këtij lokali, për të mos rënë në sy.

Pas dokumentimit të këtij aktiviteti kriminal është siguruar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësore Tiranë lejimi i kontrollit të brendshëm dhe të jashtëm të lokalit, dhe si rezultat i kontrollit të befasishëm u bë kapja në flagrancë e shtetasve të lartpërmendur duke tregtuar lëndë narkotike kokainë.

Gjatë kontrollit të ushtuar, dy klientëve u është gjetur nga një dozë me lëndë narkotike të dyshuar Kokainë. Po gjatë kontrollit në brendësi të lokalit, në pjesën e fundit të banakut, në një ambient të veçuar, me hyrje nëpërmjet banakut janë konstatuar mbetje lëndë pluhur e bardhë e dyshuar Kokainë, e sende të tjera që shërbejnë për mbajtjen dhe përdorimin e lëndës narkotike.

Në momentin e kontrollit nga Policia, kamerieri i lokalit A.LL ka hedhur në tokë një kuti shkrepëse me katër doza kokainë.

Në pjesën para banakut të lokalit është gjetur një qese brenda së cilës, ndodhet një leje drejtimi me emrin e shtetasit E. H., dhe një thikë me palosje e cila ishte hedhur në dysheme. Gjithashtu janë gjetur dhe sekuestruar edhe 9 fishekë luftarakë.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprat penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh kryer ne bashkëpunim”, “Përshtatje e lokalit për përdorim droge”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja e armëve të ftohta” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dhe municionit luftarak”.



Skip to toolbar