LSI del kundër PD, gati të hyjë në zgjedhje me Ramën

POLITIKË


Ish-deputetja e LSI, Nora Malaj ka deklaruar se forca e saj politike është e gatshme të hyjë në zgjedhje edhe me Ramën kryeministër.

Edhe pse PD artikulon qëndrimin se nuk mund të ketë zgjedhje me Edi Ramën kryeministër, e ftuar në studion e lajmeve në Ora News, Malaj tha se mund të hyjë në zgjedhje që sot me Ramën, ndërsa paralajmëroi edhe një krizë të thellë ekonomike në muajin shkurt.

“Sot hyjmë në zgjedhje me Edi Ramën, sot, tani. Nëse ti dhe unë e shpallim dhe të kishim forcën që perëndia të na e jepte të thonim tani të hyjmë në zgjedhje, ne sot hyjmë në zgjedhje se nuk kemi fare frikë.  Nuk kemi frikë për një gjë, sepse shumë e rëndësishme është që zgjedhjet nuk do t’i fitojmë as unë as ti. Do t’i fitojnë ata individë që shqiptarët i duan”, tha Nora Malaj.

E pyetur nëse kjo deklaratë shkon në kundërshtim të vijës së PD, e cila  thotë se ne nuk hyjmë në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër, ajo ritheksoi se LSI është e gatshme për zgjedhje. “Unë di të them këtë gjë, që deklaratat që ne themi, ose që personalisht i mendoj dhe si forcë politike i artikulojmë është që ne jemi gati të hyjmë në zgjedhje. Jemi bërë gati dhe kemi ndezur të tërë motorët për të hyrë në zgjedhje, sepse situata është aq e rëndë dhe po jua garantoj që muaji shkurt do ketë krizën më të madhe ekonomike që do jetë dhimbja më e madhe. Kjo nuk është për të thënë si Kasandra që shiko se unë parashikova diçka, por di të them që familjet shqiptare do jenë në ngërçin më të madh të jetës së tyre, pasi sot buxheti i shtetit është totalisht i shkatërruar”, tha Malaj.



Skip to toolbar