Pas arrestimit të Bardh Spahisë, Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi ka refuzuar që të japë leje për Partinë Socialiste që të zhvillojë takimin elektoral në këtë bashki, me pretendimin se nuk ka sheshe në dispozicion.
Përgjigjja e kryebashkiakes së Shkodrës ka ardhur pas deklaratave të degës së PD të enjten në mbrëmje, pas arrestimit të Spahisë, që ka paralajmëruar për trazira gjatë vizitës së planifikuar të kryeministrit në qytetin verior.
Kryebashkiakja i ka dërguar të mërkurën një letër zyrtare, komisariatit të policisë së Shkodrës, dhe vetë Partisë Socialiste, ku i njofton se Bashkia nuk miraton asnjë leje për asnjë subjekt politik për aktivitete elektorale. Në letrën dërguar shefit të komisariatit, Voltana Ademi shkruan: “Çdo aktivitet politik elektoral që mund të zhvillohet në sheshet publike të hapura në qytetin e Shkodrës konsiderohet i paligjshëm dhe për rrjedhojë Bashkia Shkodër nuk miraton leje për asnjë subjekt politik”.
Në letrën dërguar Partisë Socialiste, kryebashkiakja jep dy arsye se përse e refuzon lejen për takimin elektoral të Ramës në Shkodër. E para është dekreti i Presidentit Ilir Meta, i cili i ka anuluar zgjedhjet e 30 qershorit, dhe që është botuar edhe në Fletoren Zyrtare. Ishte pikërisht ky dekret që futi në përplasje institucionale policinë e Rendit me atë bashkiake, që urdhëruar nga kryebashkiakët e zgjedhur nga PD dhe LSI këto ditë kanë dalë në terren për të larguar KZAZ-të nga ambientet në administrim të bashkive.
Arsyeja e dytë që Voltana Ademi jep është se në këtë periudhë të sezonit turistik, Shkodra nuk ka ambiente publike të lira për tubime të tilla elektorale.
“Me fillimin e sezonit turistike në Bashkinë Shkodër janë duke u realizuar në të gjitha sheshet e Bashkisë aktivitete promovuese për turizmin dhe nuk ka asnjë shesh të lirë për organizim takimesh”, shkruhet në letrën që Bashkia i ka dërguar Partisë Socialiste.