SHBA-të kanë nisur një përpjekje për të formuar një zonë tregtare për mineralet kritike, të cilat janë thelbësore për prodhimin e gjithçkaje, nga telefonat inteligjentë deri te armët, ndërsa përpiqet të thyejë dominimin e Kinës në këtë industri.
Të mërkurën, Departamenti i Shtetit organizoi ngjarjen e parë ministriale për Mineralet Kritike, e cila u ndoq nga vende dhe organizata si Mbretëria e Bashkuar, Bashkimi Evropian, Japonia, India, Koreja e Jugut, Australia dhe Republika Demokratike e Kongos.
Siç shkruan BBC, delegatët diskutuan mbi disponueshmërinë dhe aksesin në minerale që janë të rëndësishme për prodhimin e gjërave si çipat e kompjuterëve dhe bateritë për automjetet elektrike.
Minierat dhe përpunimi i këtyre mineraleve kritike, që përfshijnë edhe tokat e rralla, dominohen nga Kina.
Në komentet e publikuara nga qeveria e SHBA-ve, zëvendëspresidenti JD Vance dhe sekretari i Shtetit Marco Rubio nuk e përmendën Kinën me emër.
Në vend të kësaj, Vance iu referua “ofertës së huaj” të këtyre mineraleve që mbushin tregjet globale, duke e bërë të vështirë për vendet e tjera me depozita minerale të sigurojnë financimin e nevojshëm për t’i prodhuar ato.
SHBA-të planifikuan të përdorin tarifa për të ndaluar rënien shumë të ulët të çmimeve të mineraleve kritike, gjë që mund të pengojë investimet.
David Copley, asistent i veçantë i presidentit Donald Trump, tha se SHBA-të kanë ndërmend të “shpenzojnë qindra miliarda dollarë kapital në sektorin e minierave për të nisur projektet“.
Ai tha se investime janë bërë tashmë në disa kompani, përfshirë prodhuesin e magneteve me toka të rralla, MP Materials, dhe Lithium Americas, e cila prodhon material të rëndësishëm për bateritë e karikueshme.
Përfaqësuesi tregtar i SHBA-ve, Jamieson Greer, gjithashtu tha se SHBA-të, Japonia dhe Komisioni Evropian po zhvillojnë “politika dhe mekanizma tregtarë të koordinuar” për të shmangur kolektivisht problemet e mundshme me aksesin në minerale të rëndësishme.
Para takimit, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze tha se “vendet duhet të ndjekin parimet e ekonomisë së tregut dhe rregullat ndërkombëtare ekonomike dhe tregtare, duke përmirësuar komunikimin dhe dialogun”.
Ngjarja ishte pjesë e një përpjekjeje më të gjerë nga qeveria e SHBA-ve për të kundërshtuar aftësinë e Kinës për të përdorur dominimin e saj në industri si një mjet presioni në negociatat tregtare.
Të hënën, Trump njoftoi krijimin e një rezervi të mineraleve kritike, të quajtur “Project Vault“, me vlerë pothuajse 12 miliardë dollarë.
Figura të industrisë mirëpritën këtë njoftim. “Është thelbësore të shohim që Shtetet e Bashkuara po marrin hapa vendimtarë për të forcuar furnizimin tonë me të gjitha llojet e mineraleve dhe tokave të rralla,” tha Wade Senti, president i Advanced Magnet Lab.
Eventi i së mërkurës u zhvillua në të njëjtën ditë që Trump pati një bisedë telefonike me homologun e tij kinez, Xi Jinping, të cilën presidenti amerikan e përshkroi si “shumë pozitive.”
Kina ka një kontroll të fortë mbi tokat e rralla dhe ka forcuar kontrollin mbi eksportet në muajt e fundit.
Pekini kërkon që kompanitë kineze të marrin miratimin e qeverisë para se të dërgojnë këto minerale jashtë vendit.
Kur kufizimet u ashpërsuan në tetor, kjo shkaktoi një goditje të madhe për SHBA-të, industritë e së cilës varen shumë nga këto importime.
Qeveria kineze së shpejti lehtësoi ato masa më strikte, por analistët thonë se Kina po përdor dominimin e saj si një mjet kyç për të negociuar me Uashingtonin
