Avokatja Erinda Ballanca tha për Real Storyse paga e magjistratëve në Shqipëri nuk u rrit, edhe pse punonjësit e administratës dhe ekzekutivi morën shtesa, për shkak se u ndryshuan referencat që përllogarisin pagën e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Sipas Ballancës, kjo bëri që elementi i pagës së Presidentit të aplikohej në nivel 0.36, shumë më poshtë se pjesa tjetër e funksionarëve. Ajo theksoi se ndryshimi i ligjisë referuese ka penguar rritjen e pagave që ishte parashikuar fillimisht në ligjin e vitit 2017.
“Paga e magjistratëve u vendos me një formulë që kishte element fiks dhe variabël, ku përfshihen vjetërsia, edukimi dhe pozicioni se në cilën gjykatë ndodhen. Më e rëndësishmja ishte paga bazë. Në vitin 2017, kur u miratua ligji, vetë qeveria që ishte propozuesja vendosi në ligj një pagë për punonjësin në Këshillin e Ministrave, që ishte sekretari i përgjithshëm.Pati një debat shumë të madh që rritja e pagave të shtyhej në kohë. U tha se pagat do të rriteshin në vitin 2019. Çështja u dërgua në Gjykatën Kushtetuese dhe u vendos që rritja e pagave të aplikohej në vitin 2019.
Duke qenë se qeveria u bind se po jepte shumë para, ndryshoi VKM-në dhe në vitin 2019 paga e referencës nuk ishte më në të njëjtën vlerë: nga 153 mijë lekë u ul në 112 mijë. Pra, u bënë ndryshime në legjislacionin referues. Vendimi kushtetues u mor pikërisht për këtë arsye. Ata thanë se, meqë bëhej referimi me klasën 1, kur ndodhi ky interpretim, Kuvendi e ndryshoi ligjin për të dhënë më pak lekë.
Në shumë vende thuhet se ekzekutivi dhe legjislativi janë një dhe në këtë moment doli vendimi i Gjykatës Kushtetuese. GJK tha se duhet të jeni të kujdesshëm dhe se nuk mund të ulni referencën, me përjashtim të rasteve kur cënohet buxheti i shtetit, si në rastin e fatkeqësive.
U bë një rritje e madhe e pagave për të gjithë ekzekutivin, por edhe në institucione të tjera. U rrit paga e çdo punonjësi të administratës, si në vlerë numerike, ashtu edhe në përqindje, në krahasim me pagën e Presidentit, me përjashtim të sistemit gjyqësor. Gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk iu rritën pagat, sepse u ndryshuan referencat dhe u vendos një element i pagës së Presidentit në masën 0.36, që fatkeqësisht është shumë më poshtë se paga e pjesës më të madhe të funksionarëve të këtij shteti.”
