12 qershori shënon dy ditëlindje të rëndësishme në Shqipëri, siç është ajo e Partisë Socialiste dhe ajo e kreut të PD-së, Lulzim Basha.
E ndërsa socialistët kanë rendur që në mëngjes të postojnë urimet për partinë e tyre, nga PD ende nuk kanë nisur urimet për kryetarin.
Basha feston sot 45 vjetorin e lindjes ndërsa Partia Socialiste 28 vjetorin e themelimit.
Të parët që kanë uruar kanë qenë Erion Veliaj dhe Taulant Balla.
“Gëzuar Ditëlindjen @partiasocialiste_al- e vetmja forcë patriotike që ka provuar se nuk tradhëton kurrë vendin, se rimëkëmb ekonominë, se bën shtet e qytet si Tirana jonë.👫
E vetmja forcë qartësisht pro BE e pro- SHBA sot për sot! Në #30Qershor voto PS @ediramaal Nr. 30”, shkruan kryebashkiaku Veliaj.
Edhe Balla në urimin e tij theksin e vë tek zgjedhjet e 30 qershorit.
“Gëzuar ditëlindjen e 28-të Partisë Socialiste🌹 të Shqipërisë, forcës më të madhe politike të shqiptarëve, e cila sot drejton Shqipërinë tonë në përpjekjen europeiste për të ndërtuar dhe forcuar shtetin modern të së drejtës, sundimin e ligjit dhe parimet e mirëqenies sociale.
Partia Socialiste e Shqipërisë është sot forca politike më e besueshme për partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë në angazhimin e saj qeverisës, demokratizues dhe reformator.
Sot teksa afron 30 Qershori i Zgjedhjeve Vendore, konfirmohet qartë se misioni historik i Partisë Socialiste të Shqipërisë në gjithë rrugëtimin e saj ka qenë dhe mbetet një shtet shqiptar me institucione funksionale, ku respektimi i Kushtetutës dhe i ligjit është detyrim i zbatueshëm dhe i barabartë për çdo shtetas shqiptar.
Urime të gjithë anëtarëve të Partisë Socialiste!”, shkruan Balla.