Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përfunduar dëshminë e tij në Gjykata Speciale në Hagë, duke hedhur poshtë akuzat e ngritura ndaj tij dhe duke i cilësuar ato si të pabazuara dhe të ndikuara nga narrativa të vjetra politike.
Në fjalën e tij përmbyllëse para trupit gjykues, Thaçi deklaroi se shumë nga akuzat e paraqitura në sallën e gjyqit janë të njëjta me ato që, sipas tij, janë përdorur më herët gjatë fushatave zgjedhore në Kosovë. Ai akuzoi Prokurorinë për përpjekje për të diskredituar dëshmitë e zyrtarëve të lartë ndërkombëtarë, përfshirë përfaqësues të NATO, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara, të cilët, sipas tij, kanë qenë të pranishëm në Kosovë gjatë luftës.
Thaçi tha se në Konferencën e Rambujesë kishte mbështetur hetimin e krimeve të supozuara nga të gjitha palët nga Tribunali për ish-Jugosllavinë, ndërsa pas luftës, sipas tij, kompetencat për hetimet ishin në duart e autoriteteve ndërkombëtare. Ai theksoi gjithashtu se, pas shpalljes së pavarësisë, si kryeministër dhe më pas si president, kishte mbështetur vazhdimin e hetimeve të pavarura nga misioni i EULEX.
Në përfundim, ish-presidenti kërkoi që vendimi i gjykatës të bazohet në Kushtetutën e Kosovës, ligjet në fuqi dhe provat e paraqitura gjatë procesit, duke insistuar se akuzat ndaj tij nuk qëndrojnë.
“Shumë akuzat që kam dëgjuar në këtë sallë, i kam dëgjuar edhe në fushatat zgjedhore në Kosovës, ama janë të njëjtat. Është e dhimbshme që kjo Prokurori përpiqet që t’i hedhë poshtë dëshmitë e zyrtarëve të lartë të NATO-s, SHBA-ve, Britanisë së Madhe dhe të OKB-së, të atyre që ishin gjithë kohës bashkë me ne në terren. Që ishin sytë dhe veshët e Perëndimit nga Kosova. Për më tepër kjo Prokurori pretendon se unë i kam nxjerrë në lajthitje gjatë gjithë kohës së luftës. Kjo është shumë qesharake. Si duket kjo prokurori sërish më mbiçmon më tepër nga sa e meritoj. Nga ana tjetër kjo prokuroi lartësinë në qiell dëshmitë e fabrikuara nga epoka e regjimit të Millosheviçit, kështu ajoi injoron gjithë të vërtetën.
Në Rambuje unë mbështeta kërkesën që tribunali për ish-Jugosllavinë të hetojë krimet e supozuara nga të gjitha palët. Ndërsa pas përfundimit të luftës të gjitha kompetencat e hetimeve të luftës ishin në duart e ndërkombëtareve. Unë e mbështeta punën e tyre. Në Kosovë asnjë i akuzuar nuk është arratisur madje nuk është thyer asnjë xham për të kundërshtuar hetimet.
Pa shpalljes së Pavarësisë kur unë isha kryeministër i Kosovës, unë u pajtova që të hetimet e pavarura për krime lufte të mbesin në duart e EULEX, si President i Kosovës unë angazhova ekspertë për të krijuar një forum për viktimat. Por, e vërteta është se drejtësia për viktimat nuk mund të vendoset duke djegur të pafajshmit. Pajtimi nuk mund të ndodhë me ndjekje selektive. Të nderuar gjyqtarë gjatë gjithë jetës sime unë isha në krah të popullit të Kosovës në mbrojtje të lirisë, jetës dhe dinjitetit të popullit të Kosovës.
Sot në përfundim të këtij procesi kam vetëm një lutje, që vendimi juaj të jetë në përputhshmëri të Kushtetutës së Kosovës, ligjet, provat dhe faktet dhe provat e paraqitura e bëjnë që akuzat nuk qëndrojnë“, tha Hashim Thaçi.
