Macron ka ardhur i fyer, konflikt me Merkel apo BE?

AKTUALITET


Pavarësisht dakordësimit me Londrën për Brexit-tn, samiti i BE-së ka ende tema të hapura si politika e personelit, financat dhe zgjerimi i BE-së. A do të ketë përgjigje?

Drama e Brexit-it mori një zgjidhje, pasi krerët e BE-së në samitin e Brukselit (17.10) ranë dakord me Londrën për një marrëveshje për mënyrën e daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja. Pjesёmarrёsit nё samit i kanё mbyllur konsultimet pёr Brexit-in, komunikoi zёdhёnёsi i BE-sё nё mbrёmje nё Bruksel.

Presidenti i Kёshillit tё BE-sё, Donald Tusk pas kёsaj deklaroi nё njё konferencё shtypi, se ka pasur sukses, pasi kryeministri britanik Boris Johnson pranoi kontrollet doganore nё pikat hyrёse pёr nё Irlandёn e Veriut. Tusk njёkohёsisht theskoi, se ёshtё garantuar uniteti i tregut tё brendshёm.

Cilat janë çështjet problematike, përtej Brexit-it?

Presidenti i Francës Emmanuel Macron ka ardhur disi i fyer në Bruksel. Kanidatja e tij për postin e komisares së BE-së u hodh poshtë nga Parlamenti Europian – një kundërshtim që Macron ia ngarkon presidentes së re të Komisionit të BE-së, politikanes gjermane Ursula von der Leyen.

Në kuadër të samitit liberali Macron dhe konservatorja von der Leyen duan të peshojnë, se për cilën kandidat apo kandidate të re nga Franca mund të merret miratimi nga Parlamenti.

A janë vallë për këtë arsye të rënduara raportet gjermano-franceze? Tek e fundit von der Leyen është një ndër më të besuarat e kancelares gjermane Angela Merkel. Disa diplomatë të BE-së mendojnë, se refuzimi i kandidates së Macron-it Sylvie Goulard është si të thuash hakmarrja e kryetarit të grupit parlamentar të konservatorëve Manfred Weber. Sepse zgjedhjen e këtij të fundit si president i komisionit të ri e pengoi presidenti i Francës Macron duke propozuar në vend të tij Ursula von der Leyen.

Kancelarja Angela Merkel ishte përpjekur që të qendronte larg debateve të fundit për personelin. Me sa duket ajo nuk e ka nën kontroll grupin parlamentar të partive konservatore në Parlamerntin Europian. Von der Leyen në nëntor do t’i paraqesë sërish parlamentit për miratim ekipin e saj të ri. Nuk është e sigurt nëse ajo do të marrë shumicën.

Zgjerimi rëndon raportet gjermano-franceze

Krejt i vetëm mbetet presidenti francez Macron lidhur me çështjen e zgjerimit të BE-së. Kancelarja do patjetër të përpiqet për fillimin e bisedimeve të antarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Macron i refuzon në mënyrë strikte bisedimet e antarësimit, ndonëse Komisioni i BE-së, Parlamenti e pothuajse të gjitha shtetet anëtare i konsiderojnë të përmbushura kushtet.

Këtu pra nuk kemi të bëjmë me një konflikt mes Merkel-it dhe Macron-it, por të Francës ndaj pjesës tjetër të BE-së. Në mbledhjet përgatitore të këshillit të ministrave ministri gjerman i Shtetit pranë Ministrisë së Jashtme, Michael Roth, u shpreh mjaft i zhgënjyer nga qendrimi i Francës.

Por sipas Macron-it qendrimet e ndryshme lidhur me çështje të veҁanta politike janë pjesë e një partneriteti. Këtë ai e pati thënë edhe në prill, kur Gjermania dhe Franca kishin qendrime me disa dallime lidhur me dramën e Brexit-it. Në dialogun mes dy vendeve kërkohet që “ndonjëherë të pranohen konfrontime të frytshme, por që në fund gjejnë një kompromis”, është shprehur Macron.

Diplomatët e BE-së nuk mendojnë, se lokomotiva gjermano-franceze çalon në BE, për më tepër që BE pas përpjekjeve të gjata arriti të miratojë buxhetin e Euro-Zonës për investimet, për të cilin Macron u grind gjatë dhe Gjermania u tërhoq duke pranuar një volum të moderuar.

Plani financiar afatgjatë

Nuk ka unanimitet lidhur me paratë. Kryetarët e qeverive dhe të shteteve  të të gjtiha vendeve anëtare do të debatojnë ashpër për buxhetin prej shtatë vjetësh të BE-së nga viti 2021 deri më 2027. Gjermania bën pjesë në grupin e paguesve më të mëdhenj neto, që duan ta mbulojnë buxhetin e BE-së me 1,0 përqind të rendimentit ekonomik europian. Komisioni i BE-së pati propozuar 1,13 përqind. Për shkak të daljes së britanikëve do të ketë një boshllëk të madh në të ardhurat, që duhet të plotësohet prej kursimeve dhe kontributeve më të mëdha të vendeve që paguajnë neto. Franca nuk do t’i prekë subvencionet për bujqit e saj. Gjermania argumenton, se duhen më shumë para për inovacione, për migrimin dhe shpenzimet për të ardhmen. Vendet marrëse të ndihmave neto janë kundër, sepse nuk duan të shkurtojnë subvencionet për rajonet e dobëta të BE-së, që janë përfituesit kryesorë. Një marrëveshje lidhur me kuadrin buxhetor do të jetë e mundur ndoshta pas një viti. Gjermania është me distancë paguesi më i madh neto dhe që vitin e ardhshëm do të ketë presidencën e radhës në BE./DW



Skip to toolbar