“Grumbullimi i pafund i tarifave të reja” nga SHBA-të është “thelbësisht i papranueshëm”. Kështu u shpreh këtë të martë, 20 janar, presidenti francez, Emmanuel Macron. Duke folur në forumin e liderëve botërorë në Davos, Macron shtoi se kjo është edhe më e papranueshme kur tarifat “përdoren si mjet presioni kundër sovranitetit territorial”.
Për presidentin francez, konkurrenca nga SHBA-të për marrëveshje tregtare që “minojnë interesat tona të eksportit, kërkojnë koncesione maksimale dhe synojnë hapur të dobësojnë dhe të nënshtrojnë Europën, e kombinuar me një grumbullim të pafund të tarifave të reja, është thelbësisht e papranueshme”.
Macron theksoi se është e qartë që po hyjmë në një kohë “paqëndrueshmërie dhe pabarazie”, si në aspektin e sigurisë, ashtu edhe nga pikëpamja ekonomike.
“Shikoni situatën ku ndodhemi,” tha ai, duke vënë në dukje një “zhvendosje drejt autokracisë”, së bashku me luftërat në mbarë botën gjatë vitit 2024, duke theksuar se “konflikti është normalizuar”. Sipas Macron, Franca dhe Europa janë “natyrisht” të lidhura me sovranitetin kombëtar dhe pavarësinë. Ai shtoi se kjo nuk është një mënyrë “e vjetruar” për të jetuar, por më tepër një kujtesë për të mos “harruar plotësisht” mësimet nga Lufta e Dytë Botërore dhe për të mbetur të përkushtuar ndaj bashkëpunimit.
Presidenti francez tha se pikërisht për këto parime, vendi i tij ka vendosur të marrë pjesë në ushtrimet ushtarake në Groenlandë “pa kërcënuar askënd, por thjesht duke mbështetur një aleat në një vend tjetër evropian, Danimarkën”.
Më herët, Trump tha se nuk ka “asnjë kthim pas” në planin e tij, duke pohuar se “Groenlanda është imperative për sigurinë kombëtare dhe botërore”.
