Macron në Serbi, negociata për nisjen e dialogut me Kosovën

AKTUALITET


Presidenti francez Emmanuel Macron nis të hënën një vizitë dy ditore në Serbi ku në takimet e nivelit të lartë në fokus do të jenë bisedimet për nisjen e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës.

Mediat serbe raportojnë se Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë masa maksimale të sigurisë, me rastin e vizitës së Macronit, që përfshijnë bllokimin e disa akseve të rëndësishme rrugore.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç dhe ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiç, e kanë cilësuar vizitën e presidentit francez, të një rëndësie shumë të lartë.

Gjatë këtyre dy ditëve, përveç takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiç, Macron pritet të takohet edhe me përfaqësuesit e tjerë politik serbë.

Sipas medias franceze “Frans 24”, një nga temat kryesore të diskutimit të presidentit Emmanuel Macron gjatë vizitës së tij në Beograd, do të jetë Kosova, kjo pasi Macron dëshiron të ndihmojë në zgjidhjen e bllokimit të dialogut Kosovë-Serbi.

Përveç kësaj teme, gjatë kësaj vizite Franca dhe Serbia pritet të nënshkruajnë marrëveshje në fusha të ndryshme.

Kujtojmë se Samiti i Parisit dështoi për shkak të qëndrimeve të Kosovës dhe Serbisë në lidhje me dialogun dhe taksën prej 100 % ndaj mallrave dhe produkteve serbe që ka vendosur qeveria e Kosovës.

Zyrtarët e qeverisë së Gjermanisë dhe Francës, kanë thënë se ky samit është shtyrë në një afat të pacaktuar.

Në anën tjetër, kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti Francez, Emmanuel Macron, janë duke bërë përpjekje që t’i bindin të dyja palët që të rikthehen në tryezën e bisedimeve.



Skip to toolbar