Macron paralajmëron konferencë për Ballkanin

AKTUALITET


Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka paralajmëruar se gjatë Presidencës Franceze të Bashkimit Evropian do të organizojë edhe një konferencë për Ballkanin Perëndimor. Ai e ka thënë këtë në një konferencë për shtyp, ku ka folur gjerësisht për prioritetet e Presidencës Franceze të Këshillit të BE-së që fillon më 1 janar të vitit të ardhshëm.

“Fqinjësia jonë më e afërt është Ballkani Perëndimor. Në qershor do të organizojmë konferencën për Ballkanin Perëndimor sepse Ballkani është më shumë se fqinjësi, është në zemër të Evropës. Mjafton të shikohet harta dhe historia jonë”, tha Macron.

Macron shtoi se aktualisht rajoni është duke kaluar në një fazë të tensioneve.

“Historia kthehet nganjëherë edhe në mënyrë tragjike. Prandaj sot kemi një përgjegjësi të veçantë ndaj Ballkanit Perëndimor. Atje duhet të zbatojmë politikën e angazhimit të ri, por edhe investimeve në mënyrë që të favorizojmë integrimin ekonomik të rajonit, ndihmojmë shkëmbimin e njerëzve, zgjidhim çështjet e pakicave dhe luftojmë kundër ndikimeve dhe manipulimeve që janë pasojë e angazhimit të fuqive që përmes Ballkanit duan ta destabilizojnë Evropën”, u shpreh presidenti Macron.

Ai ka shtuar se angazhimi politik dhe ekonomik në Ballkanin Perëndimor është agjendë e vërtetë për sovranitetin e Evropës, sepse, siç është shprehur, “nuk mund ta ndërtojmë Evropën në paqe për 50 vjetët e ardhshme, nëse e lëmë Ballkanin Perëndimor në situatën në të cilën është sot”.

“Kjo do të thotë se duhet të sqarojmë perspektivën evropiane, të investojmë në rajon, në unitetin e tij dhe të kemi një ambicie të përbashkët për dekadën që vjen”, shtoi Macron.

Ky paralajmërim është inkurajues pasi Franca në vitet e fundit ka qenë ndër shtetet skeptike ndaj procesit të zgjerimit të BE-së.

Pikërisht me kërkesë të Francës është ndryshuar metodologjia e procesit të negociatave të anëtarësimit në BE.

Franca e merr kryesimin e BE-së nga Sllovenia, më 1 janar të vitit të ardhshëm. Pas gjashtë muajsh, më 1 korrik 2022, Franca ia dorëzon kryesimin e BE-së, Republikës Çeke.



Skip to toolbar