Sheshi Skënderbej është kthyer të shtunën në një skenë të madhe panairi të makinave të epokës të stilit retro falë nismës së ndërmarrë nga Drejtoria e Shërbimeve të Transportit Rrugor. Në shesh gjenden makina të vjetra që nga koha e mbretit Zog, apo edhe makina e përdorur nga ish diktatori Enver Hoxha. Drejtori i DPSHTRR, Blendi Goxhe thotë se shumica e makinave i përkasin koleksionistëve privatë. Ai njofton se duke nisur nga 1 janari i vitit të ardhshëm do të hiqen taksat për makinat me vlera historike.
“Janë automjete që i përkasin kohës së para luftës, që në kohën e Mbretit Zog. Janë automjete private, janë koleksione të personave të ndryshëm që janë kujdesur nga një anë t’i mbajnë, nga një anë t’i restaurojnë. Mbrëmë shpërndamë çmime, për ‘shpëtimtarë’ të këtyre makinave, sepse shumë prej tyre janë rrezikuar nga koha nga ndryshku nga rreziku që të zhdukeshin. Janë makina të rralla, psh. automjeti i ish-diktatorit Hoxhës, janë vetëm 3 në të gjithë botën. Pra, ka automjete me vlera unikale”, -u shpreh Gonxhe, ndërsa ky aktivitet zhvillohet me rastin e 20 vjetorit të DPSHTRR-së, që vjen si bashkim jubilesh edhe i 105 vjetorit nga dita kur një shqiptar për herë të parë në jug të vendit ka pasur një automobil.
Gonxhe sqaroi ndër të tjera se regjistri retro do të jetë një sistem i pavarur nga DPSHTRR, do të jetë komplementar i regjistrit të mjeteve të Shqipërisë, për këto mjete që kanë disa karakteristika e veçori.
“Nga 1 nëntori këto mjete mund të regjistrohen në regjistrin retro të Republikës së Shqipërisë ndërsa nga 1 janari këto mjete do të gëzojnë benefite të tjera fiskale, si psh nuk do të paguajnë taksat vjetore të qarkullimit do të kenë trajtim të veçante me anë të një VKM”, tha Gonxhe.
Nëse doni të bëni një foto me këto makina historike, mos hezitoni të bëni një xhiro nga sheshi Skënderbej.