Një aksident rrugor ka ndodhur në autostradën Levan-Vlorë, ku një automjet tip “Honda” me targa AA 711CZ, është përplasur me trafik-ndarësen e rrugës në zonën e Novoselës, dhe më pas ka përfunduar e përmbysur në rrugë.
Fatmirësisht, drejtuesja e mjetit ka shpëtuar, duke marrë plagë të lehta. Policia dyshon se shkak për aksidentin mund të ketë qenë mungesa e vëmendjes në drejtim të automjetit dhe shpejtësia mbi normat e lejuara.
Drejtuesja e mjetit, identiteti i të cilës nuk bëhet i ditur, është dërguar në spitalin e Vlorës për marrjen e ndihmës mjekësore. Edhe pse ky aksident fatmirësisht nuk pati viktima, policia bën thirrje drejtuesve për kujdes dhe zbatim të rregullave të qarkullimit rrugor për shmangien e aksidenteve.