Dy orë pas atentatit në lagjen ‘Bashkimi’ në Vlorë, një makinë e djegur është gjetur në aksin e vjetër që lidh qytetin bregdetar me Fierin. Makina dyshohet se u përket autorëve të atentatit në Vlorë, ku mbetën të plagosur Nikollaq Çepaj (Taullaraj) 36 vjeç dhe Ronald Çepaj 27 vjeç. Autorët nga vendi i ngjarjes u larguan me një makinë tip ‘Benz’.
Policia ka rritur dhe më shumë dyshimet se makina e gjetur e djegur i përket autorëve, për faktin se ajo është Mercedes Benz dhe brenda saj është gjetur edhe një armë automatike Kallashnikov. Megjithatë, policia ka pak shpresa të gjejë prova në makinë, pasi ajo është shkrumbuar e gjitha.
Nga ana tjetër, policia ka arritur të krijojë identikitin e autorit nga dëshmitë e personave që ishin në vendin e ngjarjes. Ai ka qëlluar nga brenda automjetit tip “Benz”, ndërsa ishte i pa maskuar por kishte mjekër dhe përdorte kapele.
Dy personat që u plagosën me armë zjarri nga atentati në Vlorë janë duke marrë mjekim në spitalin e Vlorës. Nikollaq Çepaj ndodhet në gjendje të rëndë, pasi njëri plumb e ka kapur në kokë dhe disa në trup. Ndërsa kunati i tij Roland Çepaj ndodhet në gjendje të stabilizuar, pasi ka vetëm një plagë në këmbë nga plumbi që mori.