Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastrliu u shpreh se ka një ndërgjegjësim të studentëve sa i përket vaksinimit.
E ftuar në emisionin “Real Story”, ajo tha se studentët janë ndërgjegjësuar se duhet të vaksinohen, për të mbrojtur familjarët e tyre dhe komunitetin që i rrethon.
“Këtu të rinjtë janë shumë të mençur. Fakti që shkollat janë hapur dhe të rinjtë janë duke u vaksinuar. Unë kam takuar shumë pedagogë dhe më kanë thënë që një pjesë e madhe e studentëve po vaksinohen. Unë jam e bindur që gjëja e parë që duhet të mbrojmë është vetja, por edhe tjetri. Edhe studentët, kanë detyrë qytetare, morale, për të mbrojtur familjarët e tyre. Ky është një virus që nuk fal. Nuk besoj se ka asgjë që e shpërblen jetën”, u shpreh Manastirliu.
Për ministren, nuk ka një datë të saktë se kur mund t’i jepet fund pandemisë. Ajo tha se objektivi i Shqipërisë është që në fund të pranverës së vitit që vjen, të ketë të vaksinuar të paktën 90 % të popullsisë, pasi pjesa tjetër sipas saj, janë pjesë e kategorisë që nuk mund të vaksinohen për arsye shëndetësore.
“Ata thonë që objektivi i botës do të jetë prej 70 % të vaksinuar deri në mesin e vitit të ardhshëm. Objektivi ynë që kemi vendosur në strategjinë tonë, është vaksinimi dhe është deri në 90% sepse është një kategori që nuk vaksinohet për arsye të sëmundjeve, kjo është deri në fund të pranverës së vitit të ardhshëm. Do të përpiqemi që të gjitha kapacitetet të jenë në funksion të këtij procesi jetim dhe sidomos këtu ka shumë vlerë bashkëpunimi, solidariteti dhe i gjithë konteksti, njerëzit dhe ata që influencojnë në popullatë.
Ndaj ne kemi përfshirë në planin tonë edhe bashkitë. Këtu nuk ka thjeshtë vetëm një refuzim, mund të jetë një pjesë e vogël që e kanë mendjen e pështjelluar nga mendjet e mbrapshta, por një pjesë tjetër duhet ti kontaktojmë. Kjo është një proces që duhet ta shohësh tjetrin në sy”, theksoi ministrja.