Kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, ka dalë kundër vendimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, që nuk ka ndjekur të njëjtin standard për listat e kandidatëve për Gjykatën Kushtetuese, që i ka dërguar Kuvendit dhe Presidentit. I ftuar në emisionin Real Story të Sokol Ballës në News 24, deputeti i mazhorancës deklaroi se brenda KED ka pasur debate dhe nuk kanë votuar të gjithë në mënyrë unanime, lidhur me listën me 4 emra që i është dërguar Presidentit. Sipas tij, KED ka dërguar listë me 3 kandidatë për Gjykatën Kushtetuese në Kuvendin e Shqipërisë, ashtu siç e përcakton ligji, por kjo nuk ka ndodhur në listat e dërguara kreut të shtetit, pasi i ka dërguar listë me katër kandidatë.
Manja tha se nga korrespondenca me KED, kanë mësuar se Presidentit i janë dërguar dy lisa për dy vakancat e shpallura prej tij dhe të dyja me nga katër kandidatë, ndërkohë që ligji parashikon se lista i dërgohet me tre kandidatë dhe një prej tyre duhet të zgjidhet nga Presidenti. “Nuk dua ta paragjykoj vendimmarrjen e KED dhe duhet parë edhe mënyra e debatit, por në gjykimin tim listat duhet të kishin ndjekur të njëjtin rregull. Ky institucion duhet të kishte ndjekur të njëjtin standard si për listën e Kuvendit ashtu dhe për të Presidentit. Ne ia çuam këtë shqetësim KED, por duhet parë nga procesverbalet e mbledhjes se përse është kjo vendimmarrje, për të kuptuar këtë situatë”, tha Manja.
Emri i katërt në listat e Presidentit ka shkaktuar debate, pasi rezulton se emri i katërt në këtë listë është pikërisht ai i Xhaferllarit, e cila është bashkëjetuesja e Enkelejd Alibeajt dhe skenarët e mundshëm janë që Presidenti Meta po kërkon të emërojë atë, pavarësisht se ligji parashikon qartë se zgjedhja e tij duhet të jetë nga tre të parët.
Po ashtu, kreu i komisionit të ligjeve ka folur edhe mbi çështjen e radhës të ngritur nga Presidenti Meta, i cili ka pretenduar se anëtarët duhet të zgjidhen me radhë, një nga Presidenti, nga një Kuvendi dhe një nga Gjykata e Lartë, e cila është e përcaktuar në nenin 179 të Kushtetutës. Por, Manja pretendon se ky proces nuk ka të bëjë me radhën e emërimit, por për të mos pasur konflikt. “Është e vërtetë që neni 179 i Kushtetutës e ka përcaktuar radhën, por pavarësisht radhës të Kushtetutës veprojnë në mënyrë të pavarur. Dhe për të mos pasur konflikt mes institucioneve për mënyrën e zgjedhjes, ka përcaktuar dhe radhën. Por ama radha përcakton kompetencën për ushtrimin e të drejtës, por jo kur duhet të zgjedhin këto institucione. Pra Kushtetua nuk zbatohet siç kërkon presidenti, pasi ne nuk jemi në një situatë normale dhe radha e plotësimit është një situatë jo normale për shkak të ikjes së gjyqtarëve nga vettingu”, deklaroi Manja.
Sipas tij, askush nuk e ka menduar se Gjykata Kushtetuese, apo Gjykata e Lartë do të boshatiseshin nga vettingu. “Nëse ne do të ndjekim mënyrën që pretendon Presidenti, atëherë krijimi i Gjykatës Kushtetuese shkon në kalendat greke, pasi do zgjidhte Presidenti të parin, Kuvendi të dytin dhe nuk do të dilnim nga ngërçi, pasi duhej kandidati i tretë nga Gjykata e Lartë, e cila në fakt nuk ka asnjë kandidat për vakancat e saj”, deklaroi Manja në Real Story.