Drejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado thotë se bazuar në marrëveshjen Shqipëri-Itali për pensionet, qytetarët shqiptarë mund të aplikojnë për pension, nga vendi ku ata janë rezidentë.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, Hado u shpreh se një qytetar shqiptar mund të aplikojë në zyrat e sigurimit shoqëor në Shqipëri për pensionin në skemën shqiptare, por gjithashtu edhe për pension në skemën italiane, pasi në Tiranë do të jenë edhe zyrat e homologëve italianë.
Hado nënvizoi se kërkesën, shqiptarët në Itali mund ta bëjnë në shqip, sikurse italianët të cilët jetojnë në Shqipëri, mund ta bëjnë në gjuhën italiane.
“Ne kemi parashikuar në marrëveshje, që secili qytetar, italian ose shqiptar, mund ta bëjë kërkesën për pension, ku ai të jetë rezident. Ai mund të përdorë zyrat e sigurimit shoqëror në Shqipëri, për të bërë kërkesën për pension në skemën shqiptare, por mund ta bëjë edhe ndaj IMSI-t, që është homologu ynë në Itali, dhe mund ta bëjë nga Tirana. Sigurisht. Kur të mbushë moshën për pension, do aplikojë në Shqipëri, edhe për pensionin shqiptar, edhe për pensionin italian. Ne pastaj, ia dërgojmë kolegëve italianë, konsiderohet sikur kërkesa eshte bërë në Romë. E njëjta gjë edhe për 500 mijë shqiptarët, do shkojnë në një sportel të IMSI-t, do aplikojnë edhe për pension italian, dhe për pension shqiptar.
Ne do të komunikojmë me ata, kjo është shumë e rëndësishme. Ne i përdorim zyrat e IMSI-t sikur të ishin tonat dhe IMSI përdor zyrat tona në Shqipëri sikur të ishin të tyret. Kërkesën, shqiptarët në Itali mund ta bëjnë në shqip. Nuk refuzohen dokumentat për shkak të gjuhës. Ai e bën në shqip dhe janë të detyruar të na i sjellin më shpejt të jetë e mundur, pa noterizim, pa vulë apostile, pa përkthim”, theksoi ai.