Marrëveshje për Prespën/ Bashkitë e tre vendeve, bashkëpunim për ruajtjen e liqeneve

AKTUALITET


Bashkitë e Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, që lagen nga ujërat e Prespës, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, me qëllimin ruajtjen e peisazhit dhe ujërat e dy liqeneve nga ndotja.

Sipas marrëveshjes bashkitë duhet të ndërmarrin veprime të përbashkëta dhe të koordinuara me njëra-tjetrën për çështje të caktuara, si dhe të angazhohen për të plotësuar detyrimet që vite më  parë kanë vendosur bashkë qeveritë përkatëse.

Dy prej bashkive pjesë e marrëveshjes janë shqiptare. Ajo e Pustecit që laget nga ujërat e Prespës së Madhe dhe bashkia e Devollit, pjesë e së cilës është një pjesë e Prespës së Vogël.

Sipas specialistëve të mjedisit, ndotjet më të mëdha të këtyre liqeneve janë ato industriale dhe të pesticideve, të evidentuara në Greqi dhe Maqedoni. Ndërkohë, pala shqiptare është e detyruar që të mbrojë liqenin nga derdhjet e ujërave të zeza.

Të gjitha bashkitë synojnë që përmes projekteve të përbashkëta në BE të arrijnë një zhvillim të qëndrueshëm në rajonin e Liqeneve të Prespës, që përfshin peisazhin e mbrojtur dhe një trashëgimi të pasur të trashëgimisë kulturore.



Skip to toolbar