Marsida Qatja ka rrëzuar pretendimet se ajo e ka pasur të dashur përndjekësin e saj, i cili mbeti i vrarë, pasi kishte shkuar në shtëpinë e saj, pasi u përplas me armë me një polic burgjesh që ndodhej brenda shtëpisë. Duke folur për “News24” pas ngjarjes së rëndë, që tronditi Kavajën dhe mbarë vendin, ku u vra 41-vjeçari Dritan Haxholli dhe u plagos polici Bledar Toçi, Marsida ka shpjeguar detajet e krimit, duke deklaruar se në shtëpi ndodhej me dy shokë, Bledar Toçin dhe Xhulion, ndërsa nga tre fëmijët e saj, vetëm më i vogli ishte në banesë.
“Ndjehem shumë keq. Jo pa qëllim doja të kontaktoja me ju, sepse nuk janë të vërteta fare që ishte ish i dashuri. Personi na kërcënonte, i binte dritares. Kërkova ndihmën e Bledarit, shokut tonë, meqë ishte dhe polic. Nuk mendoja se do arrinte situata deri këtu. I thashë se jam me fëmijë dhe ai na shqetëson. Bledi tha se do më ndihmonte, se do e zgjidhte si njeri, meqë isha femër e vetme, me fëmijë. Ndërkohë, që unë isha me shokun tim Xhulion, Bled kishte 15 minuta që kishte hyrë brenda, Dritani i ra dritares me armë, unë i kërkova të hynte brenda. Ai filloi të qëllonte direkt me armë. Polici, që ishte dhe shoku jonë, u vetëmbrojt normalisht, se po na vriste dhe mua me djalin e vogël, nuk kishte fëmijë të tjerë brenda”, tha ajo për momentin e ngjarjes.
Ndërkohë, Qatja ka komentuar edhe çështjen e hetimit për mashtrim financiar, duke deklaruar se motrae saj nuk ka lidhje me akuzat. “Më vjen keq për motrën, që është cenuar për punën e agjencisë. Motra ime s’ka të bëjë fare me këtë çështje. As në agjenci s’ka hyrë ndonjëherë, as bileta fiktive, as kontakte, madje s’kemi pas as shoqëri të përbashkët”, u shpreh Qatja.
Ndërsa për marrëdhëniet me bashkëshortin në burg, Marsida shprehet e shqetësuar për gjithë ngjarjen e ndodhur mes shokëve të saj, siç i cilëson vetë. “Unë jam dhe e martuar, jo më larg se sot me vjen një letër nga burri im, që shkruhen fjalët nga më të ndryshmet. Unë e kaloj shumë mirë me atë, më do dhe e dua. Kam një marrëdhënie shumë të mirë me burrin, iki njëherë në muaj dhe e takoj në Gjermani, pasi është në burg. Këta kanë arritur, qoftë te motra, qoftë tek unë, deri në shkatërrim familje. Mua më vjen keq dhe për viktimën, pasi edhe atë e kishim shok, nuk është se nuk kishim kontakte”, tha Qatja.