Martin Leka: Saliu doli. Alibia ra. Rama fërkon duart!

Më të fundit


Nga Martin Leka

Sali Berishës do ti duhet të marrë sot me vete dy flamujt e PD që nxirrte çdo natë në ballkonin e banesës dhe megafonin, ndoshta për ti patur si relike të një periudhe gati njëvjeçare në arrest shtëpie. Nuk do ti duhet të mbajë konferenca online dhe as dalje në skype. Nuk do di duhet as të bëjë shëtitjen e përditshme në taracën e tij.

Sali Berisha do të pritet si hero blu në selinë me të njëjtën ngjyrë, nga militantët e vet. Ca të tjerë, përfshi udhëheqës të partisë, do do bëjnë sikur gëzohen e do të bërtasin fort nga marazi pse doli, thjeshtë për ti rënë në sy Saliut t’u shkruajë emrin në listën për deputetë të ardhshëm. Madje këtyre do tu duhet të çirren më fort se militantët, sa tu mbajë rryli i fytit.

Sali Berisha fitoi një betejë. Kjo duhet thënë. Por luftën e ka përpara.

Ka një luftë me veten. Luftë me gjithë trashëgiminë e vet politike 33 vjeçare në demokraci, shtuar dhe shumë vjet të tjera trashëgimi në diktaturën e Hoxhës si anëtar dhe udhëheqës i vogël i PPSH.

Ka një luftë me Lulzim Bashën, Enkelejd Alibeajn, Dash Shehin e të tjerë që nuk i’u bashkuan atij “në ditët e tij të kjametit”.

Ka një luftë me shumë parti të reja, të cilat nuk e duan dhe nuk e qasin berishizmin në asnjë lloj forme dhe mënyre, siç nuk duan e qasin as qeverinë e Edi Ramës.

Ka një luftë me të gjithë bashkëluftëtarët, të cilëve zor se do t’ua harrojë se i kishte kundër dhe zor se nuk do t’u kujtojë si çekan në kokë se “unë jam baba i Zenit”.

Ka një luftë të madhe me “non gratën” nga SHBA e MB, të cilën vështirë se do të mund ta fitojë.

Por, luftën dhe betejën finale, Sali Berisha dhe trashëgimia e tij politike e ka me Edi Ramën.

Ai që u gëzua më shumë për lirimin nga arresti shtëpiak i Sali Berishës duket të jetë Edi Rama.

Në çdo analizë të arësyeshme, një fushatë elektorale (e cila do dhe fare pak kohë të fillojë) me liderin e partisë kryesore opozitare në kushte arresti dhe me liderin e partisë së dyte opozitare në burg, do ta bënte fushatën elektorale të pabarabartë dhe të cënueshme, si në planin e brendshëm, ashtu edhe atë ndërkombëtar. Një fitore, e pritshme, e Edi Ramës në kushtet e mësipërme, do ta bënte mandatin e tij të katër një “fitore si të Pirros”.

Përfundimisht, Sali Berisha dhe Partia Demokratike nuk ka më alibi për të zhvlerësuar procesin zgjedhor.

(PS: I mërzituri më i madh nga lirimi i Sali Berishës duhet të jetë prodhuesi i bluzave “FREE BERISHA”)   



Skip to toolbar