Pesë të arrestuarit për masakrën e Kavajës, ku mbeti i vrarë një kalimtar, i cili sapo kishte blerë bukën për familjen, janë paraqitur të gjithë bashkë në Gjykatën e Kavajës për masën e sigurisë mbi ngjarjen e rëndë që tronditi, jo vetëm qytetin, por edhe politikën, ku u përfshi me akuza për punën e policisë edhe Presidenti Meta.
Prokuroria ka kërkuar arrest me burg për Ardian Dedejn, Eraldo Hykën, Marjus Aliun dhe Qazim Merkajn me akuzën e vrasjes me paramendim, e kryer në bashkëpunim e ngelur në tentativë dhe prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake, ndërsa për Agron Kollçakun arrest shtëpie, pasi akuzohet për moskallëzim krimi. Ky i fundit nuk është në gjykatë për shkak të gjendjes shëndetësore.
Nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i vdekur Ramazan Hasalliu dhe u plagosën 7 të tjerë mes tyre 4 pjesëtarë të 2 grupeve, por edhe 2 persona që nuk kishin lidhje me ngjarjen (njëri nuk është identifikuar ende), ndërkohë që është shpallur në kërkim Denis Aliu.
Pas ngjarjes u arrestuan Marjus Aliu, Ardian Dedej (i dënuar më parë), Eraldo Hyka, të cilët u plagosën nga shkëmbimi i zjarrit dhe Qazim Merkaj e Agron Kollçaku, ky i fundit për moskallëzim krimi. Tre të plagosurit e tjerë nga ngjarja ishin Rustem Dedej, që është vëllai i Ardian Dedejt për të cilin nuk është ngritur asnjë akuzë dhe Arben Ajdini e Sali Mekja, por që nuk kanë lidhje, pasi po qëndronin në lokalin e tyre kur i kapën plumbat. Ndërkohë Elio Hyka, që është vëllai i Eraldo Hykës është shoqëruar dhe më pas është lënë i lirë, pasi sipas policisë nuk ka lidhje me ngjarjen.