Disa qindra malazezë kanë protestuar të premten pranë ndërtesës së Qeverisë së Malit të Zi në Podgoricë, duke kërkuar përgjegjësi nga udhëheqësja politike e sistemit të sigurisë, pas vrasjes së 12 njerëzve më 1 janar në Cetinje. Aco Martinoviç vrau dymbëdhjetë njerëz, përfshirë dy fëmijë, dhe plagosi katër të tjerë më 1 janar në Cetinje. Disa orë më vonë, ai kreu vetëvrasje.
Dy djem të moshës 8 dhe 13-vjeçare ishin në mesin e të vrarëve. Demonstruesit fillimisht qëndruan të heshtur për t’i nderuar të vrarët dhe të plagosurit. Ata i varën 12 trëndafila në gardhin mbrojtës metalik përreth oborrit të selisë së Qeverisë në Podgoricë, duke simbolizuar numrin e të vrarëve.
Më vonë, duke shprehur pakënaqësinë e tyre për veprimet e autoriteteve atë mbrëmje, ata brohoritën “Ku ishit më 1 janar?”, “Ku është Daniku Danillo Sharanoviç ministri i Brendshëm që nuk shfaqet?”, “A e kanë fajin qytetarët?” dhe ” Vrasës”. “Duhet të ishit në Cetinje, jo të na ruani neve këtu”, brohoritën qytetarët, duke aluduar se Martinoviçi nuk ishte kapur as gjashtë orë pas kryerjes së vrasjeve.
Ata kanë brohoritur edhe emrat e djemve të vrarë “Jovan” dhe “Vukan”. Një pjesë e turmës u përpoq ta thyente gardhin mbrojtëse në disa raste.
“Ne kemi fëmijë dhe kemi frikë se dikush do të përsërisë diçka të ngjashme. Kë po mbroni ju, ne nuk jemi të armatosur dhe nuk kemi armë ilegale”, tha Dushan Drakiç nga Podgorica duke iu drejtuar policëve që ruanin ndërtesën e Qeverisë.