Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, mori pjesë këtë të mërkurë në Komisionin e Sigurisë, ku komentoi për herë të parë ngjarjen tragjike të Shkodrës, ku humbën jetën katër persona.
Proda tha se grupi i posaçëm i hetimit është duke punuar intensivisht dhe se do të jepen rezultate konkrete shumë shpejt.
“Për sa i përket ngjarjeve kriminale, ka një shqetësim. Sidomos ngjarja e fundit në Shkodër. Ngjarja ishte e rëndë, unë jam qytetar vetë dhe e vlerësoj dhe shqetësimin tuaj qytetar.
Nuk diskutohet që ne kemi qëndruar, grupi i posaçëm po punon dhe me garanci iu them se shumë shpejt për atë ngjarje do të kemi rezultate konkrete.
Ngjarja ishte e rëndë; sikur të kisha shkopin magjik për ta kthyer kohën pas, besoj se të gjithëve nga ne do t’ua kishim vënë dorën në zemër për të mos ndodhur, por ja që ka ndodhur dhe është fakt, dhe duhet të përballemi me të”, tha Proda.