U premtonte biznesmenëve projekte ndërtimi, pranga mashtrueses 64-vjeçare

AKTUALITET


Një grua 64 vjeçe është arrestuar nga policia, pasi ajo dyshohet se mashtronte biznesmenë, duke u premtuar projekte të mëdha ndërtimi të financuara nga një organizatë e huaj, ku pre e mashtrimeve të saj ka rënë edhe vëllai Drejtorit të Policisë Tiranë, Rebani Jaupaj.

Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar pas marrjes së kallëzimit nga pronarë të disa bizneseve, se një shtetase, nëpërmjet mashtrimit, kishte përvetësuar fondet e tyre për përfitime personale duke u prezantuar si përfaqësuese e një organizate të huaj, bënë kapjen dhe ndalimin e Violeta Petro, 64 vjeçe, banuese në Tiranë.

Gruaja prezantohej si përfaqësuese e një organizate të huaj dhe duke përdorur emrin e organizatës, mashtronte duke përvetësuar shuma të konsiderueshme parash nga biznesmenë të ndryshëm, të cilëve u premtonte financime në projekte të mëdha ndërtimi.

Nga hetimet disa mujore, burime nga policia bëjnë me dije se Petro prezantohej si përfaqësuese e organizatës së huaj UNICEF që operon në Shqipëri dhe më pas nëpërmjet mashtrimit përvetësonte fondet e tyre për përfitime personale. Nga kallëzimet e biznesmenëve të administruara nga specialistët kundër krimit ekonomiko financiar ,  janë vërtetuar të paktën 1 rast mashtrimi në vlerën e 60 mijë dollarëve dhe një tjetër në shumën e 32 mijë dollarëve.

Po sipas burimeve nga policia pas bërjes publik të rastit dhe daljes në media të emrit të Violeta Petros, pranë uniformave blu janë paraqitur kallëzime të tjera për mashtrime të ngjashme, për të cilat ka nisur menjëherë verifikimi.

Materialet procedurale në ngarkim të kësaj shtetaseje, do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.



Skip to toolbar