“Maxhoranca, e vendosur për të shkarkuar Metën”

AKTUALITET


Pavarësisht vonesave dhe shtyrjes së afatit të Komisionit të Posaçëm Hetimor, maxhoranca mbetet e vendosur për të shkarkuar nga posti presidentin Meta për shkak të shkeljeve të Kushtetutës jo vetëm në rastin e anulimit të dekretit për zgjedhjet e 30 qershorit, por edhe në rastin e emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Deputetja e Partisë Socialiste, njëherësh anëtare e Komisionit të Ekonomisë dhe Sigurisë, Antoneta Dhima është shprehur për gazetën “SOT” se mazhoranca qeverisëse është vendosur për të shkarkuar presidentin Ilir Meta nga detyra, pasi sipas saj, ai ka shkelur Kushtetutën me anulimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit të vitit që lamë pas dhe me vakancat në Gjykata Kushtetuese.

“Mazhoranca është e vendosur t’i shkoj deri në fund shkarkimit të presidentit Meta. Është kompetencë e Kuvendit e më pas e Gjykatës Kushtetuese, të cilat duhet të vendosur nëse shkeljet e kryera nga ana e Presidentit Meta do të jenë të mjaftueshme, për të marrë vendimin për shkarkimin e tij. Edhe me parë jam shprehur se Komisioni i Venecias në raportin e tij ka theksuar se: Presidenti Meta ka vepruar në mungesë të bazës ligjore, kur anuloi zgjedhjet e 30 Qershorit dhe vendosi shtyrjen e tyre duke mos e patur kompetencë sipas Kushtetutës dhe sipas ligjit elektoral, duke cenuar kështu të drejtën e shtetasve për të zgjedhur. Komisioni hetimor i ngritur nga Kuvendi në përfundim të proçesit do të hartoj një raport të cilin ja përcjell për miratim Kuvendit dhe është kompetencë e Kuvendit dhe më tej e Gjykatës Kushtetuese të cilat përcaktojnë nëse shkeljet e gjetura janë bazë për shkarkimin e presidentit Meta nga detyra”, thotë deputetja Dhima.

Deputetja Antoneta Dhima

Ndërsa e pyetur për ngritjen e SPAK deputetja pohon se shumë politikanë janë të trembur nga kjo strukturë e cila nuk do të kursejë askënd.

“Si pjesë e rëndësishme e reformës në drejtësi është edhe ngritja dhe funksionimi në mënyrë të pavarur i strukturës së SPAK-ut. Kjo strukturë e sapokrijuar do të shënjestroj korrupsionin në nivelet e larta si dhe do të gjykoj personat të cilët nuk kanë zbatuar ligjin. Ky institucion do te jetë themelorë në Shqipëri i cili do të luftojë korrupsionin në të gjitha nivelet si dhe krimin e organizuar, pasi të gjithë ne, duam funksionimin e shtetit ligjorë dhe kthimin e besimit te sistemi gjyqësorë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës si një nga partnerët tanë të rëndësishëm të cilët kanë dhënë kontributin e tyre për ngritjen dhe funksionimin e SPAK-ut dhe për të gjithë ata që kërkojnë ti japin fund pandëshkueshmërisë dhe të sjellin drejtësi për popullin shqiptarë, kanë akorduar 2 milionë dollarë.

Patjetër që të gjithë ata që kanë shkelur ligjin dhe kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i tremben SPAK-ut dhe unë mendoj që nuk janë vetëm politikanët. Ajo që dua të theksoj është fakti se strukturat e SPAK-ut nuk mund dhe nuk do të kursejë askënd, që ka shkelur ligjin dhe nuk e ka zbatuar atë, qoftë ky President, ministër, drejtues i pushtetit vendorë apo qendror”, thotë deputetja e PS-së.

Lidhur me reformën zgjedhore deputetja pohon se gjatë janarit do të filloj të diskutohet në komisionin e posaçëm, propozimet e opozitës parlamentare për ndryshimet e sistemit zgjedhor. Sipas saj mazhoranca është e angazhuar të përmbushi plotësisht të gjitha detyrimet me qëllimin e vetëm përmbylljen e një reforme zgjedhore të plotë dhe gjithëpërfshirëse.



Skip to toolbar