Mbi 250 anije të bllokuara në Kanalin e Panamasë prej thatësirës, paralizohet tregtia globale

BOTA


Ndryshimet klimatike duket se po godasin fort edhe tregtinë ndërkombëtare, teksa mbi 200 anije raportohet se janë bllokuar në kanalin e Panamasë, për shkak të thatësirës.

Lëvizja në një nga qendrat më strategjike për trafikun global të mallrave është paralizuar për shkak se nuk ka mjaftueshëm ujë, për të vënë në punë sistemin e nevojshëm që mundëson kalimin e anijeve në kanal.

4% e trafikut botëror të kontejnerëve kalon përmes kësaj strukture themelore, shifër e cila bëhet 40% nëse marrim parasysh vetëm tregtinë e Shteteve të Bashkuara dhe lëvizjen në Paqësor.

Por për momentin 264 anije janë të bllokuara në pritje të autorizimit të kalimit, pasi sezoni i shirave midis majit dhe nëntorit nuk ka qenë i qëndrueshëm gjatë këtij viti, ndërsa avullimi i ujit është intensifikuar.

Loading…

Kanali i Panamasë është e vetmja rrugë kryesore e transportit detar që varet nga uji i freskët, me më shumë se 190 milionë litra të nevojshme për çdo anije që të kalojë.

Blloqet e kanalit varen nga rezervuarët, por gjysma e parë e vitit ishte e dyta më e thatë në gati një shekull në pellgun ujëmbledhës të kanalit, sipas Institutit të Kërkimeve Tropikale Smithsonian. Madje thatësira bëri që Panamaja të shpallte një gjendje të jashtëzakonshme mjedisore në maj.

Mungesa e ujit po ashtu shtyu Autoritetin e Kanalit të Panamasë (ACP) të shkurtonte trafikun dhe në maj vendosi një kufi të thellësisë 13.4 metër për anijet më të mëdha, duke kufizuar sasinë e ngarkesave që mund të transportojnë.

Autoriteti gjithashtu ka kufizuar kalimet ditore në vetëm 32 anije që nga fundi i korrikut, nga mesatarja që ka qenë 36.

Kjo ka kontribuar në një rritje prej 16% të numrit të anijeve që presin të kalojnë aty, sipas gjurmuesit të tregtisë detare MarineTraffic.



Skip to toolbar