Katër persona nga Këlcyra dhe një person nga Lushnja kanë përfunduar në prangat e policisë, pasi dyshohen se kanë kultivuar fidanë kanabisi. Arrestimi i parë është bërë nga komisariati i Përmetit gjatë kontrollit të territorit për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike.
Sipas të dhënave, në pranga kanë përfunduar N.Sh. 22 vjeç, M.Sh. 32 vjeç, Xh.M. 22 vjeç dhe E.M. 18 vjeç, të gjithë banues në Këlcyrë. “Ata dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kishin kultivuar 76 fidanë kanabis në vendin e quajtur ‘Përroi i Alipostivanit’. Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Përmet për kultivim të bimëve narkotike në bashkëpunim”, deklaroi policia.
Nga ana tjetër, Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnje kanë evidentuar dhe goditur një rast të kultivimit të bimëve narkotike në fshatin Ardenicë, Njësia Administrative Kolonjë. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnje arrestuan në flagrancë A.K, 20 vjeç, banues në Kolonjë, Lushnje. Arrestim i këtij personi u bë pasi në oborrin e banesës së tij u gjetën të kultivuara disa bimë kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.