Yllka Osmani është njëra nga të mbijetuarat e tërmetit, e cila ka rënë nga kati i shtatë i pallatit ku banonte në Durrës, një pallat pranë plazhit dhe hekurudhës. Ajo rrëfen se bashkë me bashkëshortin i saj ndodheshin në katin e shtatë të ndërtesës. Kishin ndjerë dy lëkundjet e para, por lëkundja e tretë ishte shumë e fortë. Nuk kishin patur mundësi të dilnin dhe në një kohë shumë të shkurtër e panë veten në mes të rrënojave. Yllka tregon se arriti të dallonte bashkëshortin e saj, i cili ishte në gjendje shumë të keqe.
Pas 10 minutash tmerri dhe dhimbjeje vijnë të afërmit e tyre dhe i nxjerrin nga rrënojat. Yllka tregon se në katin e parë të ndërtesës ishte dhe djali i saj, por që fatmirësisht arriti të dilte jashtë banesës para se ajo të shembej përtokë.
“Ra komplet ndërtesa në tokë, komplet u shkri, u bë pluhur i bardhë. Ne nuk e di kur e kemi parë veten aty, bashkëshorti që më thërriste: Yllka ku je? Unë i thoja ti ku je se nuk shihej asgjë. Kur e shoh bashkëshortin të varur, kokë edhe këmbë dhe duar dhe i mbahej vetëm një pjesë e këmbës tek një pjesë solete. Nuk e di si i kam dhënë fuqi vetes dhe e kam tërhequr drejt vetes. Pastaj kemi ndenjur në rrënoja të sakatuar, vetëm rënkonim. Pastaj dëgjuam zëra nga lagjja që panë se ndërtesa u shkri komplet dhe thoshin jeni gjallë, flisnin, a jeni gjallë, përmendnin emrat tanë dhe pastaj na nxorën nga rrënojat. Pastaj pamë që nga kati i shtatë ishim në tokë. Ka ndodhur shpejt, në ato moment kam mbuluar kokën me jastëk që mos shikoja vdekjen me sy. Edhe madje poshtë kur rashë, jastëkun e kisha akoma mbas vetes sime”, rrëfeu Yllka që është në gjendje të mirë shëndetësore, kurse bashkëshorti i saj gjendet të Spitalin e Traumës jashtë rrezikut për jetën.