Gazetari i njohur Fatos Çoçoli, i ftuar në emisionin “Real Story”, paralajmëroi se mbyllja e Ngushticës së Hormuzit nga Irani mund të çojë në rritje të ndjeshme të çmimit të naftës në mbarë botën, duke përfshirë edhe Shqipërinë.
Ai theksoi se kjo situatë ndikon veçanërisht në eurozonë, e cila është partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, duke importuar rreth 75% të mallrave nga vendet e saj, kryesisht nga Italia.
Ai shtoi se Shqipëria harxhon rreth 1.3 milionë tonë karburant në vit, që do të thotë se rezervat e dy javëve janë vetëm 50 mijë tonë, ose mesatarisht 3,800 tonë në ditë, gjë që e bën vendin shumë të ndjeshëm ndaj ndryshimeve globale të çmimeve.
“Irani ka 47 vjet në mpirje dhe frikë. Sa mund të preket ekonomia jonë, xhepi ynë? Irani me 14% të rezervave botërore, çështja është se mund të kthehet në një regjim miqësor me SHBA. Ky është synimi kryesor i SHBA. Për këtë SHBA, s’kanë problem fare ta mbajnë ngushticën e Hormuzit, sot mbushen dhjetë ditë, janë 110 milionë fuçi nafte që i mungojnë ekonomisë botërore.
I prish punë eurozonës, neve na intereson eurozona. Ne importojmë 9 miliardë euro, 75% të këtyre parave, i kemi nga vendet e eurozonës, kryesisht nga Italia dhe nëse Italia pothuajse edhe ajo nuk prodhon naftë bllokohet nga Hormuzi, se aty nuk kalon naftë vetëm për kinezët.
Çfarë do të thotë mungesa e kësaj nafte. Kjo do të thotë se Italia do ta gjejë naftën shumë më shtrenjtë, është vendi me rezervat strategjike në BE, më të ulëta. Ku dua të dal? Dua të dal te rezervat tona. Ne si vend kemi rezervën më të ulët në Evropë, 15 ditë e kemi.
Pse e kemi aq? Ne harxhojmë në vit 1.3 milionë tonë karburant, nga këto sa është dy javë? 50 mijë tonë, 3800 tonë në ditë mesatarisht. Si do mbrohet qytetari ynë me vetë dy javë rezervë strategjike. Ne jemi shumë të ekspozuar nga çmimi. Me çmimin e vjetër, edhe për katër ditë kemi”, tha ai.
