Mbyllja e postave serbe në Veri/ Frrok Çupi: Provokim nga Kurti

KOSOVA


Analisti Frrok Çupi  e cilëson provokim të kryeminsitrit të Kosovës, Albin Kurti, mbylljen e 9 degëve të postave serbe në veri të vendit.

Në një intervistë për “Ora e Fundit” në ABC News, Çupi u shpreh se Kurti po krijon një konflikt artificial.

Sipas Çupit, nëse Kurti vazhdon me provokime të tilla, e ardhmja e Kosovës vihet në pikëpyetje shumë të madhe.

“Është alarmante, edhe vetë qëndrimi i ambasadës së SHBA dhe BE, kishte nota alarmi. Është një provokim i rastit i qeverisë Kurti, është një rrugë e caktuar e qeverisë Kurti, si i thonë kosovarët, për ta lënë pa tekst, shtetin e Kosovës, popullin e Kosovës dhe për t’i lënë pa tekst fuqitë e mëdha që e kanë krijuar atë shtet. Kjo është një veprim tjetër që realisht ndodh një moment kruçial të zhvillimeve botërore, kur më shumë se kurrë, Amerika dhe BE, kanë nevojë për ndihmën e çdo shteti aleat, sikurse edhe Kosova, ka nevojë për vëmendje më të madhe mbi ngjarjet e nxehta që po ndodhin në Lindjen e Mesme. Le ta themi, ministri i Jashtëm i Hungarisë, sapo njoftoi ministrin e Jashtëm të Izraelit, se Irani ka vënë fletën e sulmit, ka dhënë njoftimin se do të sulmojë Izraelin.

Në Ukrainë ka vatër të madhe lufte. Në botë ka lëvizje shumë të mëdha. Në këtë situatë kaq të rënduar politike dhe konfliktesh, kryeministri i Kosovës zgjedh për të krijuar konflikt tjetër në Kosovë. Është një konflikt në dëm të Kosovës, në dëm të dialogut me Serbinë, të së ardhmes së Kosovës, nëse do vazhdojë të provokojë në këtë mënyrë, e ardhmja e Kosovës vihet në pikëpyetje shumë të madhe. Kemi të bëjmë me konflikt krejt artificial, do të rëndojë pozitat e Kosovës, por edhe të aleatëve. I gjithë ky veprim, është në disfavor të këtyre faktorëve dhe shkon në favor të kundërshtarëve”, theksoi ai.



Skip to toolbar